Afganistan, së shpejti do të hapen universitetet shtetërore

Zv/ministri i Arsimit i qeverisë së përkohshme talebane në Afganistan, Sheikh Abdul Baqi Haqqani, tha se universitetet shtetërore do të hapen së shpejti, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media në kryeqytetin Kabul, Haqqani deklaroi se problemet ekonomike janë arsyeja pse universitetet shtetërore janë mbajtur të mbyllura deri më tani.

Ai njoftoi se problemet ekonomike do të zgjidhen së shpejti dhe se në këtë mënyrë do të rifillojë edukimi dhe arsimi në universitetet shtetërore.

Në të gjithë vendin ndodhen 40 universitete shtetërore dhe 150 private, rikujtoi Haqqani, duke shtuar se aktualisht arsimi vazhdon në universitetet private.

Haqqani nënvizoi se janë të vendosur që të standardizojnë të gjithë institucionet arsimore në vend dhe t’i bëjnë ato konkurrues me sistemet arsimore të vendeve të tjera.

Ai bëri të ditur se janë kryer punime që në Afganistan të ndërtohet një universitet shtetëror në standarde ndërkombëtare.

“Të gjithë institucionet arsimore në vend duhet të zbatojnë rregullat e sheriatit dhe ato islame”, tha Haqqani.

Më tej Haqqani vuri në dukje se disa vende kanë premtuar mbështetje në fushën e arsimit të lartë në Afganistan dhe sigurimin e bursave për studentët afganë.

– Universitetet ndërprenë arsimin për shkak të COVID-19

Në anën tjetër, Haqqani në një konferencë për media në shtator 2021 kishte mbrojtur idenë se “sistemi i përzier arsimor (femra-meshkuj) është në kundërshtim me vlerat islame dhe kombëtare”.

Në universitetet që kanë mundësinë e hapësirave, studentët femra dhe meshkuj do të arsimohen në ndërtesa të ndara në sezonin e ri, kishte theksuar Haqqani, duke bërë të ditur se në universitetet që nuk kanë mundësinë e hapësirave, studentët femra dhe meshkuj do të marrin mësimet duke ardhur në shkollë në orare të ndryshme.

Universitetet në Afganistan ndërprenë arsimin për shkak të COVID-19 para se talebanët të merrnin vendin nën kontroll.

Pasi talebanët vendosën kontrollin e tyre në Afganistan, universitetet private filluan aktivitetet e tyre në shtator 2021, ndërsa universitetet shtetërore mbetën të mbyllura. /aa