Ministri në detyrë i Drejtëisë i talebanëve në Afganistan, Abdul Hakim Sharaey, është zotuar se do të zëvendësojnë Kushtetutën e Republikës Islamike me legjislacion të epokës së monarkisë nga shekulli i 20, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Drejtësisë e Afganistanit në rrjetet sociale njoftoi se ministri taleban foli lidhur me këtë çështje në një takim me ambasadorin kinez në Kabul, Wang Yu.
“Emirati Islamik (Afganistani nën sundimin taleban) do të zbatojë ligjin kushtetues të ish-mbretit Mohammad Zahir Shah për një periudhë të përkohshme pa asnjë përmbajtje që bie ndesh me ligjin islam dhe parimet e Emiratit Islamik”, thuhet në njoftim.
Sharaey gjithashtu tha se nga grupi do të respektohen ligjet, traktatet dhe parimet ndërkombëtare që nuk janë “kundër Islamit dhe qeverisë talebane”.
Më tej, në njoftim thuhet se diplomati kinez garantoi ministrin taleban se Pekini dëshiron të mbajë marrëdhëniet diplomatike me grupin dhe të ndihmojë në heqjen e sanksioneve. Po ashtu thuhet se Sharaey theksoi se grupi dëshiron të krijojë marrëdhënie “të mira dhe miqësore” me botën.
Kushtetuta e epokës së ish-mbretit Shah e vitit 1964 u miratua më parë gjatë së përkohshme pas rënies së regjimit të parë të talebanëve në vitin 2001 para se vendi të miratonte një kushtetutë të re në vitin 2004.
Gjatë regjimit të tyre të parë nga viti 1996 deri në vitin 2001, talebanët nuk kishin kushtetutë, por qeverisnin përmes dekreteve të bazuara në Sheriat. /aa