Afrika e Jugut ka shpallur të dielën gjendje fatkeqësie kombëtare pas përmbytjeve të mëdha që goditën disa rajone të vendit, duke shkatërruar qindra shtëpi dhe duke shkaktuar vdekjen e dhjetëra personave.
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar daljen e lumenjve nga shtrati dhe përmbytje të mëdha në zona urbane dhe rurale. Mijëra banorë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë strehim, ndërsa një pjesë e tyre janë zhvendosur drejt Mozambikut fqinj.
Autoritetet kanë mobilizuar shërbimet e emergjencës për kërkim-shpëtim dhe për ofrimin e ndihmës humanitare për të prekurit. Qeveria ka paralajmëruar se situata mbetet e rrezikshme, ndërsa kushtet e motit pritet të vazhdojnë të jenë të paqëndrueshme edhe në ditët në vijim.
Zyrtarët kanë bërë thirrje për kujdes maksimal dhe solidaritet, duke theksuar se prioritet mbetet shpëtimi i jetëve dhe ndihma për familjet e mbetura pa strehë. /mesazhi
