Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Afrika Lindore, siguria ushqimore nën kërcënim nga pushtimi i rajonit nga karkalecat

Afrika Lindore, siguria ushqimore nën kërcënim nga pushtimi i rajonit nga karkalecat

Përderisa bota shënon Ditën Botërore të Ushqimit me synimin për të arritur “zero uri”, miliona njerëz në Afrikën Lindore po përballen me rritjen e pasigurisë ushqimore për shkak të pushtimit të madh të rajonit nga karkalecat e shkretëtirës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në Kenia, tufat e karkalecave raportohet se janë më të këqijat në 70 vitet e fundit për shkak se shkatërruan tokat bujqësore pak para periudhës së korrjes, duke asgjësuar toka të të korrave ushqimore.

Sipas Bankës Botërore, rajoni verior i këtij vendi është goditur më keq dhe siguria ushqimore e rreth 3 milionë njerëzve është nën kërcënim.

Rajoni i Afrikës Lindore kaloi me reshje të bollshme gjatë verës, duke u mundësuar fermerëve një rendiment të mirë dhe duke u dhënë blegtorëve nomadë tokë të bollshme për kullotje.

Megjithatë, shiu po ashtu siguroi ushqim për tufat e karkalecave të shkretëtirës që kanë origjinën në Jemen dhe që u zhvendosën në Somali dhe u përhapën në Afrikën Lindore.

Agjencia e ndihmës ushqimore e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka paralajmëruar se një valë e re e karkalecave është gati të godasë rajonin, duke theksuar se pushtimi i afërt i insekteve do të përkeqësojë mungesat ekzistuese të ushqimit.

Në muajin maj, Programi Botëror i Ushqimit tha se 20 milionë njerëz preken nga pasiguria ushqimore në Kenia, Ugandë, Etiopi, Xhibuti, Ruanda, Sudan, Burundu, Sudan të Jugut, Somali dhe Eritrea.

Në Kenia, ku karkalecat kanë pushtuar më shumë se një të katërtën e qarqeve të vendit, fermerët dhe blegtorët nomadë kanë mbetur të shkretuar.

“Karkalecat kanë ngrënë gjithçka në fermën time… një hektar misër, mel, shalqi dhe perime të tjera sapo u zhdukën për një ditë të vetme”, tha Anne Ajele për AA, një fermere në kontin Turkana Lindore.

“Edhe hajdutët nuk do të më kishin marrë kaq shumë. Do të fle e uritur dhe ju po ashtu, sepse ushqimi yt vjen nga ferma ime”, shtoi ajo.

Sipas Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë të OKB-së (FAO), tufat e karkalecave mund të shtrihen duke filluar nga më pak se një kilometër katror deri në mbi 1 mijë kilometra katrorë. Çdo kilometër katror i një tufe mund të ketë midis 40 milionë deri në 80 milionë karkaleca.

Një karkalec i shkretëtirës i rritur në ditë mund të konsumojë përafërsisht peshën e tij në ushqim të freskët, që do të thotë rreth 2 gram në ditë, kështu që një tufë e vogël në ditë konsumon të njëjtën sasi ushqimi sa gjashtë elefantë, 20 deve ose 35 mijë njerëz.

“Dëmi që mund të shkaktojnë karkalecat e shkretëtirës nuk është një ekzagjerim. Shumë fermerë po përballen me kërcënime të mëdha për sigurinë e tyre ushqimore. Ne duhet t’i mbështesim ata gjatë kësaj krize dhe periudhe të rimëkëmbjes”, tha Tobias Kavarsha, një përfaqësues i agjencisë së OKB-së në Kenia.

Exit mobile version