Afrim Tovërlani në paraburgim, dyshohet se i dehur kanosi me thikë Shpend Ahmetin

Mbrëmë (e hënë) është arrestuar trajneri i futbollit Afrim Tovërlani pasi i njëjti dyshohet se me thikë e ka kanosur kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti në shtëpinë e tij.

“Më 25.10.2021 rreth orës 17:50 Policia ka marrë informacionin se është raportuar një rast i kërcënimit në lagjen Nic në Çagllavicë, saktësisht në shtëpinë e kryetarit të komunës Shpend Ahmeti. Patrulla që shkoi në këtë lokacion i ka takuar katër burra, mes tyre edhe Afrim Tovërlanin”, thuhet në raportin e policisë, të cilin e ka siguruar Klan Kosova.

Ndërsa në raportin zyrtar të Policisë, dërguar mediave mëngjesin e të martës, thuhet: “Graçanicë, 25.10.2021-17:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i cili ka qenë nën ndikim të alkoolit dhe gjatë kontrollit tek i dyshuari është gjetur dhe konfiskuar një armë e ftohtë-thikë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.

Ishte vetë Afrim Tovërlani, i cili e kishte paraqitur rastin në polici.

Sipas Klan Kosovës, gjatë kontrollimit trajnerit Tovërlani i është gjetur një thikë e cila është konfiskuar, derisa i dyshuari është dërguar në stacionin policor në Graçanicë ku edhe i është bërë alkool-testi pas të cilit ka rezultuar se ka qenë në gjendje të dehur.

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti nuk është deklaruar akoma rreth këtij rasti.

Trajnerit Afrim Tovërlani i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh dhe është transportuar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.