Agani: Ligji për transplantim organesh u tërhoq me dyshimet se mund të cenohet jeta e qytetarëve

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka thënë se gjatë mandatit të tij si ministër, një prej prioriteteve ka qenë miratimi i legjislacionit për transplantimin e organeve.

Ai ka treguar se i njëjti projektligj është tërhequr nën dyshimet se mund të hapet mundësia për keqpërdorime të jashtëzakonshme që mund ta rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe cenojnë autoritetin e vendit.

“Unë asnjëherë nuk kam pasur takim apo shkresë zyrtare nga EULEX apo ndonjë trup tjetër ndërkombëtar në Kosovë i cili ka pasur kërkesë për tërheqjen e projektligjit në fjalë… Ju e dini se MSH punon ngushtë me Komisionin Parlamentar për Shëndetësinë në procedurat e miratimit të ligjeve dhe natyrisht se ne kemi pasur konsultime të shpeshta mes nesh”, tha Agani për Klan Kosova.

Ai tha se Komisioni merr mendime dhe opinione të vendimmarrësve të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë në procesin e amandamentimeve të projektligjit.

“Kam qenë i informuar se ka pasur vërejtje nga ana institucioneve ndërkombëtare lidhur me këtë projektligj në kuptim se Kosova ende nuk është e gatshme për të zbatuar këtë projektligj dhe se mund të hapet mundësia për keqpërdorime të jashtëzakonshme që mund ta rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe ta cenojnë autoritetin e vendit”, tha ai.

Agani e ka thënë se në atë kohë [2012-2014] ka ekzistuar edhe raporti i Dick Marty-t që e ka akuzuar udhëheqësin politik, Hashim Thaçin, për transplantim organesh.

“Ka qenë një farë aure që e ka rrethuar miratimin e këtij projektligji dhe në atë atmosferë Qeveria e Kosovës në konsultim të ngushtë me grupe parlamentare ka marrë vendin që në këtë moment të shkojmë me fazën e parë të zbatimit të këtij projektligji – nëse e shihni projektligjin për inde dhe qeliza është 95% i njëjti me atë për transplantim organesh”, tha Agani.