Aksidenti tragjik i autobusit në Bullgari: 44 kufoma të zbuluara, dyshohet për 8 të shpëtuar

Numri i viktimave në aksidentin tragjik të autobusit nga Maqedonia e Veriut me targa të Shkupit, që ndodhi në rajonin e fshatit Bosnek në afërsi të qytetit Pernik në perëndim të kryeqytetit Sofje të Bullgarisë, është përditësuar në 44, raporton Anadolu Agency (AA).

Zv/kryeprokurori Publik dhe drejtor i Shërbimit Hetimor Kombëtar të Bullgarisë, Borislav Sarafov, informoi mediat bashkë me anëtarët e ekipit që zhvillon hetimin e aksidentit.

“Incidenti nuk është një akt terrorist. Nuk ka pasur shpërthim, vetëm e ka kapluar një zjarr i fortë. Numri i udhëtarëve të shpëtuar është tetë. Në spital gjenden 7 veta. Është duke u hetuar se ku është edhe një person”, u shpreh Sarafov.

Ai njoftoi se pas marrjes së deklaratave të disa udhëtarëve që janë trajtuar në spitalin e urgjencës Pirogov në Sofje është konstatuar mospërputhje në numrin e udhëtarëve që kanë vdekur dhe që kanë mbijetuar në autobus në aksident.

“Nuk ka dëshmitarë okularë. Sipas deklaratave të heroit që i ka shpëtuar udhëtarët duke e thyer xhaminë e pasëm të autobusit pas aksidentit, janë shpëtuar tetë persona. Në lidhje me hyrjen e autobusit në Bullgari nëpërmjet Kapitan Andreevo-s janë regjistruar 52 udhëtarë. Ndërsa në autopsi janë zbuluar 44 kufoma. Pasi të sillen mostrat e ADN-së nesër nga Maqedonia e Veriut, brenda disa ditëve kufomat do të dërgohen në Maqedoninë e Veriut”, tha Sarafov.

Sarafov shtoi se në autopsi është zbuluar se të gjithë udhëtarët kanë humbur jetën nga tymi, respektivisht para se të përfshihen nga flakët e zjarrit.

Më tej, ai theksoi se si shkaku kryesor i aksidentit janë duke e hetuar “mundësinë për gabim njerëzor”, duke shtuar se sa i përket djegies së autobusit në një kohë të shkurtër ekspertiza përkatëse teknike dhe zjarrfikëse vazhdon.

Përkundër pretendimeve që janë hedhur në media, Sarafov theksoi se në autobus përveç lëndës së vet djegëse nuk është hasur ndonjë lëndë tjetër djegëse. Ai tha se një faktor tjetër për aksidentin ka qenë edhe gjendja e keqe e rrugës dhe sinjalistika e komunikacionit në rajon.

Marin Marinov, i cili e kryeson hetimin, tha se shoferi i autobusit i cili humbi jetën në aksident papritmas është kthyer djathtas nga korsia e tij dhe e ka drejtuar autobusin në të majtë pasi goditi barrierën e trafikut.

Marinov shtoi se pasi autobusi është mbështetur në barrierën në të majtë, nuk është hapur dera përmes së cilës udhëtarët mund të iknin.

Shtypi bullgar gjithashtu mbuloi gjerësisht gjetjet e ekspertëve të pavarur që kryen hetime në vendin e incidentit.

Kryetarja e Qendrës Evropiane për Politika të Transportit, Diana Rusinova, tha se gjendja tejet e keqe e rrugës, si dhe mungesa e sinjalistikave horizontale dhe vertikale në komunikacion e ka bërë të pamundur orientimin e shoferit në erësirë gjatë natës.

Në aksidentin që ndodhi më 23 nëntor, sipas vlerësimeve të para u njoftua se kanë humbur jetën 46 persona. /aa