Aksioni në veri, Sveçla: Zyrtarët e policisë dhe doganës janë gjuajtur me armë zjarri, u zbulua laboratori ku kultivohej kanabis

Policia ka zbuluar në veri të Kosovës një laborator për kultivimin e marihuanës me mbi 10 mijë fije bimë kanabis të gatshme për t’u shitur në treg ilegalisht.

Gjatë këtij aksioni zyrtarët e policisë dhe doganave janë gjuajtur me armë zjarri, por fatmirësisht nuk ka të lënduar.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla.

Ai tha se aksioni i policisë është ndërmarrë në afërsi të kufirit me Serbinë, përkatësisht në vendin e quajtur Izvor.

Tutje theksoi se përgjatë këtij aksioni zyrtarët e policisë dhe doganave janë gjuajtur me armë zjarri, por aksioni po vazhdon me sukses pa asnjë lëndim apo dëm material.

“Ky është rezultat i vendosmërisë së madhe duke bërë kështu që çdo ditë e më shumë vendi ynë të çlirohet nga krimi. Ju lumtë Policia dhe Dogana e Kosovës!”, ka shkruar Sveçla në Facebook.