Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë pran gjykatës Themelore në Prishtinë –Departamenti Special, kundër pesë personave për keqpërdorim të autoritetit zyrtar.
Pjesë e kësaj aktakuze është ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, sekretari i asaj kohe në këtë ministri, Demush Shasha, zyrtari Nuhi Osmani dhe dy të tjerë.
Prokuroria Speciale njofton se e pandehura Dhurata Hoxha akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.
Po ashtu zyrtarët, Fitim Mustafa, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj, Nuhi Osmani akuzohet se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 paragrafi 2 të KPRK-së.
Në vitin 2019, taksapaguesit e Kosovës kanë alokuar shumën prej 168,000 eurosh për një kompani mardhëniesh me publikun të quajtur ‘Majorelle PR & Events’ me seli në Paris përmes Ministrisë së Integrimeve Evropiane.
Kontrata me ‘Majorelle’ u nënshkrua dhe u negociua në vitin 2018 nga Dhurata Hoxha, Ministre e atëhershme për Integrime Evropiane nga radhët e PDK-së në qeverinë e koalicionit PAN të udhëhequr nga Ramush Haradinaj.
Kjo kontratë u vazhdua më pas në mars të vitit 2019.
