Aktivistët kundër racizmit bojkotojnë muzeun e Londrës, kërkojnë heqjen e statujës së tregtarit të skllevërve

Një grup kundër racizmit ka nisur një fushatë bojkoti të një muzeu në Londër, duke kërkuar heqjen e një statuje të shekullit të 17-të të tregtarit të skllevërve, Robert Geffrye.

Grupi ‘Hackney zgjohu kundër racizmit’ u tubua në një sallë private, ku njoftoi bojkotin për vizitat në Muzeun e Shtëpisë, që ndodhet në zonën ‘Hoxton’ në lindje të Londrës.

Sipas aktivistëve, bojkoti që u mbështet nga sindikatat e mësuesve lokal, synon që mësuesit të ndalojnë organizimin e udhëtimeve në muze derisa të hiqet statuja.

Këshilltarja e bashkisë Hackey, Sade Etti, e cila ishte e pranishme në shpalljen e bojkotit, e quajti fushatën për heqjen e statujës si “një gjë shumë të mirë”.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Etti tha se kjo është një fushatë që e kanë mbështetur për një kohë të gjatë dhe se duhet të vazhdojnë me këtë mbështetje.

“Ne duhet t’i themi shumë faleminderit (grupit) ‘Hackney zgjohu kundër racizmit’, po ashtu edhe (bashkisë) Islington-it që janë bashkuar sot lidhur me këtë fushatë. Ajo statujë patjetër të hiqet. Ka pasur një konsultim, komuniteti ka folur. Askush nuk dëshiron ta shohë atë statujë”, tha Etti.

– Prindërit dhe fëmijët, të pavetëdijshëm se Geffrye ishte tregtar skllevërish

Zëdhënësi i degës së Unionit Kombëtar të Arsimit në bashkinë Islington, Ken Muller, i cili po ashtu iu bashkua bojkotit, tha se muzeu varet nga njerëzit që vizitojnë atë dhe se shumë nga njerëzit që vizitojnë atë janë nxënës shkolle, sepse shkollat organizojnë udhëtime grupore.

Muller tha se prindërit sjellin fëmijët e tyre në Muzeun e Shtëpisë pa u njoftuar për statujën ose pronarit të skllevërve që ajo përfaqëson.

“Jam vet një prindër në (bashkinë) Hackney dhe solla fëmijët e mi para se ta kuptoja kush është Robert Geffrye. Dhe, mendoj nëse mund ta hapim fjalën, t’u tregojmë njerëzve se çfarë është prapavija e fushatës dhe kush ishte Robert Geffrye, mendoj se shumica e njerëzve në këtë vend nuk do të donin që fëmijët apo shkollat e tyre të kenë të bëjnë diçka në mbështetje të asaj. Mendoj, nëse mund ta përhapin bojkotin, mund ta detyrojmë muzeun”, u shpreh Muller.

Ai tha se problemi është se qeveria konservative “po kryen presion mbi muzeun që ta mbajë atë” dhe se “ata kërcënojnë me shkurtimin e fondeve”.

Ai kërkoi veprime kundër kësaj taktike, duke theksuar se, “Ne duhet të vendosim presionin e këshillit t’u themi atyre se mund të merrni fonde nga qeveria, por se nuk do t’i keni vizitat në muze nga njerëzit”.

– Pasuria mbi kurrizin e skllevërve

Shpallja e bojkotit, që përkon me ‘Muajin e historisë së afro-amerikanëve’, u mbështet edhe nga deputetja laburiste, Diane Abbot, anëtarja e parë britanike me ngjyrë në parlament.

Muzeu i Shtëpisë deri së fundmi njihej si Muzeu i Geffrye-t, sepse është i vendosur në shtëpitë e të varfërve të shekullit të 18-të, i ndërtuar për të varfrit e Britanisë dhe për ato në nevojë dhe ishte i financuar nga Robert Geffrye (1613-1703).

Statuja e Geffrye-t, një kopje në shekullin e 20 e origjinalit të vitit 1723, ka qëndruar mbi hyrjen e muzeut që nga viti 1912.

Aty ndodhet edhe një memorial për Geffrye-n dhe gruan e tij brenda një kishe të vogël të vendosur në muze, në bazë të vullnetit të tij.

Në muajin qershor të vitit 2020, pas shkatërrimit nga protestuesit në Bristol të një statuje të tregtarit të skllevërve Edward Colston, publikut iu kërkuan pikëpamjet e tij mbi heqjen e mundshme të statujës së Geffrye-t.

Pasuria e Geffrye-t erdhi kryesisht nga trafikimi i njerëzve me ngjyrë me kompanitë ‘East India’ dhe ‘Royal African’ në shekullin e 17-të. /aa