Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Aktivisti hedh bojë të kuqe në Kancelarinë e Gjermanisë, denoncon mbështetjen ndaj...

Aktivisti hedh bojë të kuqe në Kancelarinë e Gjermanisë, denoncon mbështetjen ndaj luftës me Iranin

Protuestuesi akuzoi kancelarin Friedrich Merz për bashkëpunim në shkeljen e ligjit ndërkombëtar duke lejuar përdorimin e bazës ajrore Ramstein nga SHBA-ja.

Berlin

Një aktivist 75-vjeçar hodhi bojë të kuqe sot mbi fasadën e Kancelarisë së Gjermanisë, duke denoncuar kancelarin Friedrich Merz për atë që ai e quajti bashkëfajësi në luftën e paligjshme të zhvilluar nga SHBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit, transmeton Anadolu.

“Nëse Merz vazhdon t’u lejojë amerikanëve të përdorin bazën Ramstein dhe të fluturojnë mbi territorin tonë, atëherë ai po mbështet një luftë agresioni. Dhe kjo e bën atë fajtor. Prandaj duart e tij janë të njollosura me gjak”, tha protestuesi, i identifikuar si Ernst Hoermann, në një mesazh me video të publikuar më pas.

Videoja e postuar nga grupi “Peacefully Against Genocide” shfaq gjurmë boje të kuqe dhe shenja duarsh në murin e kancelarisë. Aktivisti gjithashtu shpalosi një pankartë drejtuar Merzit, ku shkruhej: “Jo krime lufte”; dhe “Merz, po shkel të drejtën ndërkombëtare”.

Protesta ishte shenja më e fundit e rritjes së kritikave të brendshme ndaj qëndrimit të Gjermanisë për luftën. Ndërsa qeveria e Merzit e ka përshkruar luftën si “jo lufta jonë” dhe ka shprehur skepticizëm për qëllimet dhe strategjinë e saj, ajo nuk ka shkuar deri te një dënim i fortë ose kufizime ndaj operacioneve amerikane.

Ndryshe nga Spanja, Franca dhe Italia, të cilat kanë refuzuar ose kufizuar përdorimin e bazave ose fluturimeve nga SHBA-ja për operacione kundër Iranit, qeveria gjermane ka thënë vazhdimisht se do të vazhdojë të respektojë marrëveshjet dypalëshe afatgjata që rregullojnë praninë e forcave amerikane në territorin e saj.

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier mori një qëndrim më të ashpër muajin e kaluar, duke i quajtur sulmet e SHBA-së dhe Izraelit “shkelje të së drejtës ndërkombëtare” dhe “gabim politikisht katastrofik” që pengoi përpjekjet diplomatike për të zgjidhur përplasjen mbi çështjen bërthamore me Iranin.

Një vlerësim i pavarur ligjor nga shërbimi kërkimor i parlamentit gjerman arriti në përfundimin se sulmet nuk kanë legjitimitet të qartë sipas së drejtës ndërkombëtare. Ai paralajmëroi se Gjermania mund të përballet me pasoja ligjore të mundshme, përfshirë kërkesa të mundshme për reparacione lufte nga Irani, nëse lejon përdorimin e territorit të saj për veprime ushtarake që konsiderohen të paligjshme.

Exit mobile version