Aktorja dhe humanistja amerikane Angelina Jolie përsëriti sot mbështetjen e saj për palestinezët gjatë një vizite në qytetin Arish të Egjiptit dhe në pikëkalimin kufitar Rafah, ku ajo pa nga afër pikat kryesore të ndihmës humanitare për Gazën, transmeton Anadolu.
Sipas gazetës shtetërore “Al-Ahram”, Jolie tha se ishte “e nderuar” që u takua me vullnetarë të ndihmës humanitare në pikëkalim, ku ishte e shoqëruar nga një delegacion amerikan dhe u prit nga ish-zyrtarë dhe zyrtarë aktualë.
Një vullnetar i Gjysmëhënës së Kuqe Egjiptiane i tha aktores fituese të çmimit “Oscar” dhe ish-të Dërguarës së Posaçme të OKB-së për Refugjatët se mijëra kamionë me ndihma po presin në pikëkalim për të dërguar asistencë urgjente për 2,2 milionë banorët e Gazës.
Gjatë vizitës, Jolie, 50 vjeçe, vizitoi pika kyçe në gjithë zonën, duke inspektuar depot logjistike të dedikuara për mbështetjen e palestinezëve në Gaza dhe duke parë nga afër përpjekjet e Egjiptit për të pranuar dhe shpërndarë ndihmën humanitare.
Sipas raportimeve, aktorja ka njoftuar gjatë vizitës edhe planet për të ngritur një fshat ndihme për fëmijët jetimë në Gaza, duke ofruar një strehë të sigurt për ata që kanë humbur familjarët në sulmet izraelite.
Ajo ka shpjeguar se projekti do të sigurojë strehim, kujdes shëndetësor, arsim dhe mbështetje psikologjike, duke theksuar se fëmijët e Gazës meritojnë jetë dhe shpresë, ashtu si të gjithë fëmijët në mbarë botën.
