Pas vuajtjes së dënimit (25 nëntor 1988), Izetbegoviqi vazhdoi me veprimtarinë e tij politike, duke u rreshtuar përkrah intelektualëve dhe veprimtarëve antikomunistë boshnjakë, të cilët nuk pajtoheshin me masat e dhunshme që asaj kohe qenë vendosur në Kosovë. Lidhur me këtë, shërbimi sekret jugosllav (UDB), në një analizë të hartuar në prill të vitit 1989, shkruante se “nacionalistët myslimanë vlerësojnë se pas shtypjes së Kosovës, ofensiva serbe do të përqendrohet në Bosnjë, e me këtë i ushqejnë tezat islamiste për përkrahjen e shqiptarëve dhe të myslimanëve në Kosovë”.
Qerim LITA, Shkup
Udhëheqësi shpirtëror boshnjak, Alija Izetbegoviq, lindi më 8 gusht të vitit 1925 në Bosanski Shamac, nga një familje e njohur bejlerësh. Babai i tij, Mustafa, i cili ishte ndër tregtarët më me zë në atë krahinë, në vitin 1928 vendosi që së bashku me familjet e tij 9-anëtarëshe të vendoset në Sarajevë. Në vitin 1943 e kreu shkollimin e mesëm, në Gjimnazin e Parë të Meshkujve në Sarajevë. Në vitin 1946, kur Alija Izetbegoviqi ishte duke e kryer shërbimin ushtarak, arrestohet nga organet e atëhershme të OZN-së jugosllave, si anëtar i organizatës “Myslimanët e Rinj”. Procesi gjyqësor kundër tij u zhvillua në Gjyqin Ushtarak të Sarajevës, duke u dënuar me tre vjet burg të rëndë. Burimet e proviniencës policore jugosllave hedhin dritë mbi shtrirjen e kësaj lëvizjeje edhe në territoret shqiptare në Maqedoni. Kështu shefi i sektorit II të OZN-s për Bosnjë-Hercegovinë, Sllobodan Shakota, me shkresën nr. 87 të datës 14 janar 1946, e njoftonte shefin e sektorit të II të OZN-së për Maqedoni, lidhur me disa njohuri që i posedonte ky sektor për “themelimin e një këshilli ilegal” të dijetarëve fetarë myslimanë. Shkresa, e cila ruhet në Arkivin Shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo shkresë e ka këtë përmbajtje:
“Nga puna kundër-zbuluese ndaj dijetarëve të lartë të Bashkësisë Fetare Islame, kemi ardhur deri te këto njohuri. Propagandojnë për domosdoshmërinë e ndryshimit të gjendjes së tanishme: se një gjendje e tillë në vend nuk u konvenon anglezëve dhe amerikanëve, por edhe populli ynë nuk do të lejojë që ta shpërfillin. Sipas vlerësimeve të tyre, një ndryshim i tillë duhet të fillojë në pranverë dhe se për këtë arsye myslimanët fuqishëm duhet të lidhen mes vete.
Reaksionarët nga radhët e BFI-së punojnë në krijimin e këshillit ilegal, i cili do të kishte për detyrë të lidhet me klerin katolik e ortodoks dhe me botën e jashtme, si dhe të organizojnë reaksion në luftë kundër pushtetit.
Në kohë të fundit veçmas vërehet lidhja e tyre me Zagrebin dhe Shkupin, përmes korrierëve të tyre. Kjo lidhje e Sarajevës me Shkupin, veçmas është vërejtur me shkuarjen në Shkup të Xhemal Katanës, gjyqtar i sheriatit, ku tash ai atje punon në Ministrinë e Drejtësisë. Gjithashtu, njëfarë muderrizi Hamid Efendiu (mendohet për Hafëz Bedri Hamidin – v.j.) mban lidhje me reaksionarët e këtushëm, si p.sh. Abdullah Shkaliqin, gjyqtarin e sheriatit dhe Haxhibegiqin, profesor. Sipas burimeve ende të pakonfirmuara, reaksionarët nga Sarajeva përmes Shkupit mbajnë lidhje me Stambollin. Pa dyshim se Xhemal Katana dhe muderrizi efendi Hamidi, i cili tash gjendet në Shkup, në këtë aktivitet kanë rol të caktuar.
Për të njëjtën ju informojmë Juve për të pasur njohuri. Nëse keni ndonjë të dhënë në këtë drejtim, do të ishte e nevojshme të na informoni”.
Pas vuajtjes së dënimit, Alija Izetbegoviqi u regjistrua, fillimisht, në Fakultetin e Bujqësisë në Sarajevë, që më pas të kalojë në atë të Drejtësisë, ku edhe diplomoi në vitin 1956. I edukuar në frymën e mirëfilltë islame, ai gjatë viteve të gjashtëdhjeta do të shkruajë më shumë artikuj nën pseudonimin “L.S.B” (që përbëhej nga shkronjat e para të vajzave dhe të djalit të tij). Më vonë, këta artikuj i grumbulloi në një përmbledhje nën titullin “Problemet e Rilindjes Islame”. Në vitin 1970 e botoi tekstin prej rreth 40 faqeve “Deklarata Islame”, ndërsa në vitin 1971, edhe veprën e tij të dytë “Islami midis Lindjes dhe Perëndimit”. Në vitin 1983, UDB-ja jugosllave sërish e burgosi dhe në procesin e montuar të Sarajevës, Alija Izetbegoviqi dhe 12-të intelektualë të tjerë myslimanë u dënuan për të ashtuquajturën vepër penale “Fundamentalizëm Islam dhe bashkim për shkak përmbysjes së rendit kushtetues”.
Pas vuajtjes së dënimit (25 nëntor 1988), Izetbegoviqi vazhdoi me veprimtarinë e tij politike, duke u rreshtuar përkrah intelektualëve dhe veprimtarëve antikomunistë boshnjakë, të cilët nuk pajtoheshin me masat e dhunshme që asaj kohe qenë vendosur në Kosovë. Lidhur me këtë, shërbimi sekret jugosllav (UDB), në një analizë të hartuar në prill të vitit 1989, shkruante se “nacionalistët myslimanë vlerësojnë se pas shtypjes së Kosovës, ofensiva serbe do të përqendrohet në Bosnjë, e me këtë i ushqejnë tezat islamiste për përkrahjen e shqiptarëve dhe të myslimanëve në Kosovë”. Më tej, dokumenti, një kopje e të cilit ruhet në Arkivin e Sllovenisë në Lubjanë, e përshkruan edhe veprimtarinë e ish të burgosurve myslimanë në Bosnjë ose, siç emërtoheshin nga ky ish-shërbim famëkeq jugosllav, “nacionalistët myslimanë me orientime fundamentaliste”, ku merrte pjesë edhe Alija Izetbegoviqi, të cilët, siç thuhej “përpiqen ta rinovojnë veprimtarinë e tyre”, ndërsa në mesin e “klerikëve islamikë” në rrjedhë është “ballafaqimi dhe lufta për ndikim në Bashkësinë Islame” dhe se ata gjithnjë e më shumë po e mbrojnë “frymën boshnjake”, pas së cilës, gjoja, fshihet “përpjekja për një Bosnjë etnikisht të pastër”.
Pas rënies së komunizimit, saktësisht më 26 maj 1990, Izetbegoviqi, së bashku me një grup të bashkëmendimtarëve të tij, e themeloi partinë e parë boshnjake, e cila mori emrin Partia e Aksionit Demokratik (PAD) (në origjinal “Stranka demokratske akcije” – SDA). Në zgjedhjet e para shumëpartiake, të cilat në Bosnjë-Hercegovinë u mbajtën më 18 nëntor 1990, PAD-i, kryetar i së cilës ishte pikërisht Alija Izetbegoviq, nga gjithsej 240 deputetë sa numëronte Kuvendi i Bosnjë-Hercegovinës, fitoi 86 mandate, ndërsa në kryesinë shtatëantarëshe, tre prej tyre ishin të PAD-it. Rrjedhimisht, Izetbegoviqi zgjidhet kryetar i Kryesisë së Bosnjë-Hercegovinës, në një kohë kur tashmë me të madhe flitej për shpërbërjen e ish-federatës jugosllave. Kështu, me 4 tetor 1990, Kuvendi i Kroacisë e miratoi “Deklaratën për dispozitat dhe procedurën për arritjen e marrëveshjes së re të republikave dhe krahinave jugosllave”. Një deklaratë të tillë u miratua edhe nga Kuvendi i Sllovenisë. Rrjedhimisht, Kryesia e Republikës së Kroacisë dhe Kryesia e Republikës së Sllovenisë ia dorëzuan Kryesisë së RSFJ-së dokumentin të titulluar: “Modeli i Konfederatës në Jugosllavi”. Në pjesën hyrëse të dokumentit thuhej:
“Kryesia e Republikës së Kroacisë dhe Kryesia e Republikës së Sllovenisë, mbi bazën e marrëveshjes në Kryesinë e RSFJ-së nga qershori i vitit 1990, duke bashkëpunuar në mënyrë të ndërsjellët, e përgatitën projekt-modelin për rregullimin konfederativ të marrëdhënieve midis republikave në RSFJ-në e tanishme. Republikat e tjera dhe dy krahinat, mbi bazën e marrëveshjes së njëjtë në Kryesinë e RSFJ-së, do ta përgatisnin bazën e modelit për federatën bashkëkohore. Sipas konkluzionit të Kryesisë së Republikës së Sllovenisë dhe Kryesisë së Republikës së Kroacisë, projektin e modelit konfederativ e kanë përgatitur grupi i ekspertëve i dy kryesive. Modeli është përgatitur mbi bazën e përgjithësimeve teorike të shembujve të konfederatave nga historia dhe përvojës së Bashkimit Europian…”.
Projekti në fjalë u shqyrtua në mbledhjen e Kryesisë së SRFJ-së, e cila u mbajt më 10 dhe 16 tetor 1990, në të cilën u hodh poshtë nga përfaqësuesit e katër republikave të tjera, si dhe të dy krahinave autonome: Kosovës dhe Vojvodinës. E një rëndësie të veçantë është për t’u theksuar fakti se koha kur u miratua ky projekt-dokument, në përjashtim të Kroacisë dhe të Sllovenisë, në republikat e tjera dhe në krahinën autonome të Vojvodinës pushteti ende ishte në duart e regjimit komunist, ndërsa në Kosovë, nga marsi i vitit 1989, qe vendosur administrata e dhunshme policore-ushtarake serbe.
Ndërkohë, gjatë muajve qershor-korrik 1991, në federatën e atëhershme jugosllave filloi konflikti i armatosur, fillimisht në Slloveni, që më pas të zgjerohet edhe në Kroaci. Për ndërprerjen e këtij konflikti, në sipërfaqe doli e ashtuquajtura “Platforma politike Izetbegoviq-Gligorov”, e cila “zgjidhjen paqësore të krizës jugosllave” e parashihte përmes ri-rregullimit të saj në “Bashkësi të republikave jugosllave (lidhjes konfederatave) me karakteristika të bashkësisë shtetërore”. Krahas pjesës hyrëse, Platforma ndahej në gjashtë pjesë të veçanta: Liritë njerëzore dhe të drejtat themelore të njeriut; Interesat e përbashkëta ekonomike; Subjektiviteti ndërkombëtar-juridik dhe politika e jashtme; Mbrojtja; Pozita, struktura dhe mënyra e vendosjes në organet e Bashkësisë; Garancia për zbatimin e Marrëveshjes. Kjo platformë u shtrua nga Alija Izetbegoviq, në mbledhjen e fundit të liderëve të gjashtë republikave të ish-Jugosllavisë, e cila u mbajt më 4 qershor 1991 në Beograd, por e njëjta u hodh poshtë si nga ana e Sllovenisë dhe Kroacisë, po ashtu edhe nga ana e Serbisë dhe Malit të Zi. Po në këtë periudhë kohore, me një program të vetin, doli edhe qeveria federative e Ante Markoviqit, i cili përfshinte tre pika kryesore:
“Së pari, për vendosjen e paqes në Jugosllavi, nevojitet ndërprerja e menjëhershme e konfliktit, e njëkohësisht edhe pamundësimi i konflikteve të reja të cilat mund të ndodhin në Jugosllavi dhe të kërkohet demobilizimi i të gjithë atyre njerëzve që janë të mobilizuar, të çarmatosen formacionet paraushtarake dhe njëkohësisht të shkohet në negociata për bashkëjetesën e mëtutjeshme në Jugosllavi.
Së dyti, në tre muajt e ardhshëm si domosdoshmëri parashikohet vendosja e disa funksioneve të sistemit të cilat do të mundësonin kushte minimale për jetesë, duke filluar nga tregu, valuta, sistemi monetar, sistemi pagesor etj., deri te institucionet të cilat do ta përmbyllnin atë rreth funksionimit të federatës jugosllave.
Së treti, gjatë kësaj periudhe kohore të arrihet marrëveshje për marrëdhëniet e ardhshme të shtetit, duke filluar nga e drejta e çdo kombi, çdo republike, për vetëvendosje dhe pavarësi dhe brenda mundësive të negociohet për disa funksione të përbashkëta të mundshme të cilat do të jenë në interesin e secilës republikë. Në rast se nuk ekzistojnë kurrfarë kushtesh për këtë, atëherë ndarja të kryhet në mënyrë paqësore dhe secila republikë të konstituojë shtetin e vet”.
Meqenëse edhe ky projekt nuk u pranua, Kuvendi i Bosnjë-Hercegovinës, më 14 janar 1992, me shumicë votash e miratoi “Rezolutën e pavarësisë”. Pro këtij dokumenti, krahas deputetëve boshnjakë, votuan edhe deputetët kroatë, ndërsa deputetët serbë votuan kundër. Një ditë më vonë, Bashkimi Europian e pranoi pavarësinë e Sllovenisë dhe të Kroacisë, ndërsa pavarësia e Bosnjës-Hercegovinës e kushtëzua me mbajtjen e referendumit. Për rrjedhojë, më 29 shkurt dhe 1 mars u mbajt referendumi, ku rreth 64 për qind të qytetarëve iu përgjigjen pozitivisht, prej tyre 99 për qind votuan pro pavarësisë së Bosnjë-Hercegovinës. Menjëherë pas shpalljes së rezultateve, filluan incidentet e para nga ana grupeve paraushtarake kundër popullsisë joserbe. Ndërkohë, pas pranimit të Bosnjë-Hercegovinës nga Bashkimi Europian (6 prill 1992), Armata Popullore e Jugosllavisë ndërmori një agresion brutal në mbarë territorin e Bosnjës. Për t’iu bë ballë agresionit serb, udhëheqja boshnjake, në krye me Alija Izetbegoviqin, vendosi ta formojë Këshillin për Mbrojtjen Kombëtare të Bosnjë-Hercegovinës, i cili me kalimin e kohës u shndërrua në formacionin e parë ushtarak boshnjak.
Në rrethana kur situata në Bosnjë sa vinte e përkeqësohej, Qeveria e Republikës së Turqisë, më 26 nëntor 1992, i ftoi të gjitha vendet ballkanike në një konferencë në Stamboll për të gjetur një zgjidhje për konfliktin në Bosnjë që u nënshkrua nga të gjithë pjesëmarrësit dhe gjeti mbështetjen e OKB-së. Kjo konferencë, siç deklaroi ministri i Jashtëm shqiptar, Alfred Sereçi, është mirëpritur nga Qeveria Shqiptare. “Ky takim, shprehet Sereçi, do t’u shërbejë vendeve të interesuara për një ballafaqim të opinioneve në përputhje me situatën e krijuar. Me gjithë ndërhyrjen e Komunitetit Europian, gjendja në Bosnjë-Hercegovinë vazhdon të jetë kritike. Presionet mbi Serbinë ne i kemi konsideruar dhe i konsiderojmë të domosdoshme, por deri tani të pamjaftueshme”. “Shqipëria”, tha në vazhdim ministri Sereçi “si një shtet fqinj e ballkanik, me një pozitë specifike, ka qenë dhe është për dialog, për paqe e stabilitet në rajon. Me këtë predispozitë do të shkojmë edhe në Stamboll, për të pohuar qëndrimin tonë për zgjidhjen e krizës jugosllave me mjete politike, për të parandaluar shtrirjen e luftës në jug, kryesisht në Kosovë, që përbën një rrezik eventual dhe që do të ishte me pasoja të paparashikuara për Ballkanin e më gjerë…”.
Ndërkohë, më 1-2 dhjetor 1992, në Xhedë të Arabisë Saudite, u mbajt mbledhja e shtatë e jashtëzakonshme e Konferencës Islamike, kushtuar Bosnjë-Hercegovinës, si dhe viseve të tjera ku kanosej zgjerimi i konfliktit të armatosur. Në këtë mbledhje morën pjesë edhe kryetari i Bosnjë-Hercegovinës, Alija Izetbegoviq, dhe kryetari i Shqipërisë, Dr. Sali Berisha. Në fjalimin që e mbajti, Alija Izetbegoviq, veç tjerash tha se tragjedia të cilën është duke e përjetuar populli i tij “pos të gjitha të këqijave, ka edhe një të mirë, e ajo është se e zgjoi ndërgjegjen e myslimanëve, fatkeqësisht me vonesë”. Ai më tej tha se të gjitha rezolutat dhe përpjekjet ndërkombëtare për ta ndaluar luftën kanë mbetur të kota, prandaj kërkoi që “Bosnjës t’i jepet një kontingjent armësh, sepse çdo popull, sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, dhe çdo shtet, çfarë është BH-ja, ka të drejtë për vetëmbrojtje individuale ose kolektive”. “Urdhëroni, ose na mbroni ose na lejoni të mbrohemi si dimë vetë. Ai i cili na i lidh duart, mund të konsiderohet si bashkëpjesëmarrës në tragjedinë tonë”, tha veç tjerash në fjalimin e tij kryetari i Bosnjë-Hercegovinës, Alija Izetbegoviq. Në këtë konferencë foli edhe kryetari i Shqipërisë, Dr. Sali Berisha, i cili në fillim të fjalimit tha: “Jemi tubuar këtu, në këtë sesion të jashtëzakonshëm, për të shprehur revoltën dhe ndjenjat e përbashkëta lidhur me tragjedinë që ka kapluar myslimanët e Bosnjë-Hercegovinës. Fati i tyre është bërë plagë në trupin e Europës dhe të botës në përgjithësi”. Në vazhdim, Berisha shprehu mbështetje të plotë për kryetarin boshnjak, Alija Izetbegoviq, dhe përpjekjet e tij për ta mbrojtur integritetin territorial të vendit të tij. “Bosnjë-Hercegovina, tha Berisha, është anëtare e Kombeve të Bashkuara, andaj, sipas Kartës, i takon plotësisht e drejta që ta mbrojë veten kundër agresionit serb. Duke pasur parasysh këtë, Shqipëria e mbështet kërkesën e Bosnjës për heqjen e embargos së armëve, që ky vend të mbrohet…”. Në përmbyllje të onferencës, përfaqësuesit e 50-të vendeve islamike sollën konkluzionet, në të cilat veç tjerash në to thuhej:
“…Konferenca përshëndetë disa përpjekje të Konferencës së Londrës dhe Gjenevës për ish-Jugosllavinë. Por, njëzërit konstatoi se asnjë nga vendimet që i mori për ta detyruar Serbinë që ta ndalë gjakderdhjen dhe gjenocidin në praktikë nuk u kurorëzuan me sukses. Gjithashtu, embargoja nuk pati sukses, sepse Serbia me kohë kishte grumbulluar armatim, të cilin edhe sot e prodhon dhe e importon ilegalisht, ndërsa myslimanët ishin dhe mbetën pa armë, nën peshën e embargos.
Populli duhet ta ketë të drejtën e vetëmbrojtjes, të cilën nuk mund t’ua mohojë askush me asnjë vendim e as me një rezolutë. Këtë të drejtë e ka edhe Bosnja e të tjerët, mirëpo Vensi dhe Oueni, bashkëkryetarët për Jugosllavinë, që janë të pranishëm, e kundërshtuan heqjen e embargos për blerjen e armëve për myslimanët.
Konferenca ia tërheq vëmendjen OKB-së se nëse pas një afati të kuptueshëm nuk ia del ta ndalë luftën në Bosnjë, arabët do të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe në forma të ndryshme… etj.”.
Të gjitha këto përpjekje nuk kontribuuan në ndërprerjen e luftës në Bosnjë-Hercegovinë. Përkundrazi, ajo sa vinte e zgjerohej, ku brenda katër viteve sa zgjati kjo luftë, nga ana e popullsisë myslimane (boshnjake) u vranë e u masakruan rreth 200 mijë qytetarë. Duhet të vëmë në dukje faktin se jovendosmëria e faktorit vendimmarrës ndërkombëtarë, në radhë të parë të Bashkimit Europian, SHBA-së dhe NATO-s, por edhe të OKB-së, i inkurajoi forcat kriminale serbo-çetnike se “politika e tyre e pastrimit etnik dhe agresionit do të shpërblehet”. Këta forca armiqësore serbe, në fillim të muajit korrik 1995, ndërmorën një aksion të dhunshëm ushtarak në enklavën boshnjake të Srebrenicës, e cila ishte nën mbrojtjen e forcave paqeruajtëse ndërkombëtare, me çrast masakruan në mënyrën më barbare të mundshme mbi 8.000 myslimanë, ndërsa mbi 45.000 të tjerë u dëbuan dhunshëm nga vatrat e tyre.
Lidhur me këtë, zëdhënësi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Geri Kauard, njoftonte se në “enklavën qeveritare të Srebrenicës” në orët e hershme të mëngjesit të datës 6 korrik kishte ardhur deri te luftimet e ashpra me përdorimin e tankeve, predha minahedhëse dhe artilerisë së rëndë. Sipas tij, pak më vonë kishin filluar “të bien granata në vet qytetin e Srebrenicës” dhe se disa prej tyre kishin eksploduar në afërsi të qendrës së qytetit ku gjendeshin refugjatët dhe kampi i paqeruajtësve holandezë. Në vazhdim, Geri Kauard-i theksoi se për këtë sulm “disponon me informata të pakta”, duke shtuar se luftimet kanë kontribuar për rritjen e tensionit në enklavë dhe se kjo përbën konfliktin më serioz në Srebrenicë që nga sulmi i muajit të kaluar të serbëve të Bosnjës mbi pjesën jugore të enklavës, “kështu që paqeruajtësit kanë qenë të detyruar të tërhiqen një kilometër nga vendi i tyre vëzhgues”.
Ndërkohë, forcat paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, më 9 korrik 1995, e përshkruanin si shumë serioze situatën në Srebrenicë në Bosnjën Lindore. Tanket dhe ushtarët e forcave serbe kishin përparuar në 1,5 kilometër para qytetit të Srebrenicës. Luftime të ashpra zhvilloheshin, kryesisht, në gjatësinë e rrugëve qasëse kah jugu i qytetit. Një ditë më vonë, Radio Boshnjake njoftonte se gjatë fundjavës së kaluar serbët kishin vrarë mbi 100 civilë në enklavën e Srebrenicës. Ndërkohë, Komisari i lartë i Kombeve të Bashkuara (UNHCR), njoftonte se “gjatë disa ditëve të kaluara” në Srebrenicë, nga lokalitetet e afërta kishin ikur mbi 5.000 vetë.
Duhet theksuar se udhëheqja boshnjake në mënyrë të vazhdueshme kërkonte nga liderët perëndimorë ndihmë urgjente për popullatën boshnjake të enklavës së Srebrenicës në Bosnjën Lindore. Në letrën dërguar kryetarit amerikan, Bill Klinton, dhe kancelarit gjerman Helmut Koll, kryetari i Bosnjë-Hercegovinës, Alija Izetbegoviq, kërkonte nga ata që “ta përdorin ndikimin e tyre” për ndërprerjen e këtyre sulmeve, pasi që, sipas tij, ishte më se e qartë se ato nuk ishin të “gatshëm të ndihmonin”. Në mbledhjen që udhëheqja boshnjake e mbajti më 9 korrik 1995, ajo ia tërhoqi vërejtjen faktorit ndërkombëtar se “po qe se Srebrenica pushtohet nga serbët, do ta rishqyrtojnë çështjen e pranisë së mëtejme të KB-ve në Bosnjë”.
Më 11 korrik 1995, forcat serbe në Srebrenicë u dhanë ultimatum forcave të Kombeve të Bashkuara dhe Qeverisë së Bosnjës e Hercegovinës që “brenda 48 orësh” t’i dorëzonin armët dhe ta braktisin “atë zonë sigurie”, të shpallur nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. I njëjti ultimatum vlente edhe për 45 mijë boshnjakë të Srebrenicës. Gazeta në gjuhën shqipe “Flaka e Vëllazërimit”, në një artikull të botuar më 14 korrik 1995, shkruante se “Srebrenica definitivisht ndodhet në duart e bandave serbo-çetnike” dhe se “bandat hynë në enklavën që ishte shpallur zonë sigurie nga Kombet e Bashkuara, pa kurrfarë rezistence. Paqësorët, vazhdon artikulli, ishin tërhequr para barbarëve pa shkrepur asnjë plumb, duke marrë pas varganin e madh me mbi 50 mijë refugjatësh. Doli se Kombet e Bashkuara kishin marrë në mbrojtje një zonë të cilën nuk munden apo nuk deshën ta mbrojnë…”.
Për pushtimin serb të Srebrenicës, kryeministri boshnjak, Haris Sillajxhiq, e fajësonte udhëheqësinë e Kombeve të Bashkuara. “Udhëheqësia e Kombeve të Bashkuara me aksionet e veta të vonuara u ka ndihmuar serbëve që ta pushtojnë Srebrenicën”, i deklaroi Sillajxhiqi Radio Sarajevës, duke kërkuar nga OKB-ja që “urgjentisht të hiqet embargoja e armëve për ushtrinë e Bosnjës dhe Hercegovinës”, si dhe t’u vënë ultimatum serbëve për tërheqjen nga Srebrenica.
Në kohën kur forcat dhe bandat kriminale serbo-çetnike pushtuan Srebrenicën, kryetari i Turqisë, Sulejman Demirel, e vizitoi Tiranën, Shkupin dhe Zenicën, me ç’rast pati takime me liderët e këtyre tre shteteve: Dr. Sali Berisha, Kiro Gligorov dhe Alija Izetbegoviq. Në takimin që e mbajti me 13 korrik në Tiranë me kryetarin e Shqipërisë, Sali Berisha, kryetari turk, Demirrel, u shpreh se “për ndalimin e agresionit serb në Bosnjë”, Turqia i ka zbatuar të gjitha rezolutat e OKB-së, por pasi të gjitha këto nuk dhanë rezultate, Turqia mbron fuqishëm kërkesën e udhëheqjes boshnjake “për heqjen e embargos së armëve”. Ndërkohë, në takimin e 21 korrikut 1995 në Zenicë me kryetarin e Bosnjës dhe Hercegovinës, Alija Izetbegoviq, Sulejman Demireli e përsëriti thirrjen për përfundimin e “shkeljes së të drejtave të njeriut” në Bosnjë. “Kombet e Bashkuara duhet t’i përmbushin detyrimet e veta ose në të kundërtën boshnjakëve duhet t’u jepet e drejta që të mbrohen”, tha ndër të tjerave Demirel.
Raportuesi special i Sekretarit të pPrgjithshëm të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Tadush Mazovjecki, deklaroi se forcat e serbëve të Bosnjës pas pushtimit të Srebrenicës më 11 korrik 1995 kryen vepra barbare mbi myslimanët. Në konferencën e shtypit të organizuar në Tuzëll, Mazovjecki tha se raportet e dëshmitarëve të mbledhura gjatë kërkimit njëjavorë në Tuzllë, ku gjenden rreth 6 mijë refugjatë nga Srebrenica, tregojnë se krimet kanë qenë masive. “Kjo kërkon hetim të hollësishëm, por mund të them se ajo që ndodhi nuk mund të përshkruhet si shkelje e matur e të drejtave të njeriut, por si ekskluzivisht serioze dhe masive.” vlerësoi ndër të tjerave Mazovjecki.
Ndërkohë, e përditshmja në gjuhën shqipe “Bujku”, duke iu referuar emisionit special të programit të parë të televizionit gjerman “Preseclub”, bënte të ditur se “Srebrenica ishte shitur që para gjashtë muajve”, kur në një mbledhje të mbyllur të “Grupit të kontaktit për Bosnjën në Gjenevë” e cila është mbajtur në dhjetor të vitit 1994, anglezët, francezët dhe rusët “ishin pajtuar që Srebrenica dhe Zhepa t’u jepen serbëve, në mënyrë që të krijohen ‘kushtet’ që serbët të pranojnë marrëveshjen paqësore të bashkësisë ndërkombëtare!…”. “Gazetari i gazetës “Tageszetung”, Andreas Zunach, shkruante më tej gazeta në fjalë “këtë bankrot moral të Perëndimit e arsyetoi me faktin se brendapërbrenda grupit të Kontaktit për Bosnjë-Hercegovinën ka ekzistuar dhe ekziston edhe sot e gjithë ditën një tendencë, e cila parapëlqen ndarjen e Bosnjë-Hercegovinës në tri pjesë etnike. Franca, Anglia dhe Rusia gjithnjë kanë qenë të mendimit se Bosnja e ndarë është fakt që duhet të akseptohet dhe se bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë çmos që një gjendje e tillë të bëhet edhe realitet, në mënyrë që në hapësirat e ish-Jugosllavisë të mbizotërojë paqja…”.
Se vërtet Anglia luante një rol negativ lidhur me statusin e Bosnjë-Hercegovinës, e theksojnë edhe burimet diplomatike shqiptare. Në një takim që ambasador shqiptar në Kajro, Faruk Borova, e zhvilloi më 25 qershor 1995 me kolegun e tij turk, Jashar…, ky i fundit, duke e përshkruar situatën e përgjithshme në Bosnjë-Hercegovinë, veç tjerash do të shprehet: “…Situata është e vështirë. Pozitive është fakti se boshnjakët e kanë të qartë se kjo punë do të nxirret në krye nga vetë ata, të ndihmuar nga shtetet që e simpatizojnë. Anglia po luan një rol negativ kundër Bosnjës, duke influencuar edhe tek SHBA-ja, ndërsa Gjermania po mban një qëndrim më pozitiv, pasi e ndjen gabimin që ka bërë, duke mos i njohur njëherësh të gjitha ish-republikat e Jugosllavisë, pas shpërbërjes së saj…”.
Lidhur me gjenocidin serb ndaj popullsisë myslimane në Srebrenicë, Ambasada e Republikës së Turqisë në Tiranë, më 18 korrik 1995 i dorëzoi Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, tekstin e Deklaratës së Ministrisë së Punëve të jJshtme të Republikës së Turqisë, të cilën në vazhdim po e paraqesim të plotë:
* * *
Deklaratë e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë datë 15 korrik 1995 lidhur me ngjarjet e fundit në Bosnjë-Hercegovinë
Turqia dënon me indinjatë rënien e qytetit Srebrenicë në Bosnjë në duart e agresorëve serbë boshnjakë, humbjen e jetës të shumë njerëzve të pafajshëm, detyrimin e dhjetëra mijëra boshnjakëve të pafajshëm që duke braktisur shtëpitë e tyre të jetojnë në uri e në mjerim, arrestimin në masë të burrave dhe përdhunimin e grave.
Mësohet se në kuadrin e një fushate të madhe të pastrimit etnik nga serbët boshnjakë për të njëjtin qëllim është organizuar një sulm dhe kundër qytetit të Zhepës.
Mosgjetja rrugëdalje nga forcat paqeruajtëse përballë këtyre sulmeve të organizuar në këto zona të shpallura zona të sigurta nga Kombet e Bashkuara ka dëmtuar në një masë të madhe autoritetin, efektivitetin dhe besueshmërinë e Organizatës Botërore.
Të bën të mendosh edhe qëndrimi i heshtur i organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut ndaj kësaj shkeljeje më të madhe të të drejtave të njeriut që po jeton Europa që nga Lufta e Dytë Botërore.
Këto sulme të serbëve duke injoruar plotësisht reagimin e të gjithë botës kanë shtuar shqetësimin se konfliktet do të mund të shtrihen edhe në rajone të tjera dhe janë bërë një rrezik serioz për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Parandalimi në mënyrë të sigurt i kësaj situate, ruajtja efektive e zonave të sigurta, sigurimi i kthimit në shtëpitë e tyre i atyre personave që u detyruan të emigronin dhe dënimi i agresorëve janë një detyrë e pashmangshme për të gjitha institucionet ndërkombëtare. Për të mundësuar hedhjen e hapave konkrete për këtë qëllim, Turqia do të ndërmarrë iniciativa të vendosura pranë NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara. Për këtë qëllim bëjmë thirrje për një takim të NATO-s në nivel ministrash.
Edhe Turqia përkrah fuqimisht pikëpamjet e vendosura që ka shprehur Presidenti i Francës. Turqia është e vendosur të marrë pjesë aktivisht në të gjitha vendimet që do të merren për të realizuar synimet e lartpërmendura në kuadrin e NATO-s.
Turqia kërkon heqjen e embargos të armëve që zbatojnë Kombet e Bashkuara ndaj Bosnjë-Hercegovinës”.
Gjenocidin serb në Srebrenicë e dënoi edhe Qeveria e Shqipërisë, e cila kërkoi masa energjike për parandalimin e tij. Në deklaratën e saj, që u transmetua më 25 korrik 1995 nga Radio Tirana, thuhej:
“Qeveria e Republikës së Shqipërisë po i ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit në Republikën e BH-së dhe shpreh indinjatën e saj për politikën dhe veprimet agresive serbe.
Vazhdimi i gjenocidit, dhunës, spastrimit etnik në Srebrenicë dhe Zhepë dhe sulmi i tanishëm i kombinuar i serbëve të Bosnjës dhe Krainës për pushtimin e enklavës së Bihaqit rritë ndjeshëm rrezikun e një komflagracioni më të madh në ish-Jugosllavi me efekte të paparashikueshme në gjithë rajonin e Ballkanit.
Mbështetja që mbetja e ish armatës-jugosllave i jep në trupa, municion dhe teknikë serbëve të Bosnjës dhe Krainës, është një dhunim i hapur i së ashtuquajturës embargo, që Beogradi zyrtar pretendon të aplikojë ndaj tyre.
Qeveria e Republikës së Shqipërisë është e mendimit se tani është momenti, ku krahas vazhdimit të përpjekjeve diplomatike për një zgjidhje politike të konfliktit, komuniteti ndërkombëtar të marrë masa energjike dhe praktike për t’i dhënë fund agresionit dhe dhunës serbe.
Një vendim i tillë i vendosur do të kontribuonte në zgjidhjen e konfliktit në Bosnjë dhe të krizës në ish-Jugosllavi, si dhe do të shërbente si një mjet parandalues ndaj shtrirjes së konfliktit në jug”.
Shkrimin tim kushtuar 100-të vjetorit të lindjes së udhëheqësit shpirtëror boshnjak, Alija Izetbegoviq, dhe 30-të vjetorit të gjenocidit serb ndaj popullsisë myslimane në Srebrenicë, do ta përmbylli me deklaratën e Alija Izetbegoviq-it, dhënë të përditshmes arabe “Al-Shar-Al-Asat”, ku ai ndër të tjera thekson:
“…Forcat e Kombeve të Bashkuara në Bosnjë janë të parëndësishme dhe do të ishte më mirë nëse ato tërhiqeshin nga misioni i tyre paqeruajtës. Është krejtësisht e njëjtë nëse forcat ndërkombëtare të OKB-së janë të pranishme apo jo në Bosnjë. Do të ishte më mirë nëse ato do të largoheshin. Ne nuk duam që forcat ndërkombëtare në vendin tonë ta mbrojnë vetveten. Ne duam që dikush të na mbrojë neve dhe sigurinë tonë… Kam besim më shumë në armatën time sesa në çfarëdolloj vendimesh apo hapash politikë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare…”.
