Ballina Artikuj Allahum me in neke Afu’un, Kerimun tuhib bul af’ue, fa’fu an ni

Allahum me in neke Afu’un, Kerimun tuhib bul af’ue, fa’fu an ni

Të gjitha lavdet dhe falenderimet i takojnë vetëm Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin për Profetin Muhamed (a.s) dhe për të gjithë ata të cilët e ndjekin dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Në librat e hadithit transmetohet me zinxhir të saktë të transmetimit se Aishja (r.a) e pyeti të Dërguarin e Allahut: Nëse unë e arrij natën e Kadrit, çfarë duhet të them? Thuaj: Allahum me in neke Afu’un Kerim, tuhib bul afue, fa’fu an ni (O Zot, Ti je Falës Bujar! E do faljen, më fal mua).” – u përgjigj i Dërguari i Allahut (a.s).”[1]

Kjo është duaja që Profeti (a.s) ia mësoi Aishes (r.a) dhe gjithë Umetit se çfarë duhet që besimtari apo besimtarja të bëjnë më së shumti në 10 – netët e fundit të muajit të Ramazanit në kërkim të Natës së Kadrit.

Sa më poshtë po shpjegojmë kuptimin e kësaj duaje[2]:

“Allahum me” (O Zot)

Është një thirrje me të cilën njeriu i drejtohet Allahut të Madhëruar me lutje e përgjërim.

“In neke Afu’un” (Ti je Falës)

“Afu’un është një prej emrave dhe atributeve të Allahut të Madhëruar që nënkupton se Allahu i Madhëruar i fal mëkatet dhe gjynahet. Allahu i Madhëruar e ka urdhëruar njeriun që të kryejë disa obligime, mirëpo njeriu nuk i kryen ato. Kështu që në këtë aspekt njeriu ka kryer një mëkat. Po ashtu, Allahu i Madhëruar e ka urdhëruar njeriun që të largohet nga gjërat e ndaluara, mirëpo ai i vepron atë. Edhe në këtë rast, njeriu ka vepruar gabim dhe kjo konsiderohet mëkat e gjynah. Kështu që kur besimtari thotë: O Zot Ti je Falës (Afu’un), ai e di se Allahu i Madhëruar i fal ato mëkate që ai është treguar neglizhent ndaj kryerjes së obligimeve, ashtu sikurse Allahu i Madhëruar i fal edhe ato mëkate ku ai ka vepruar gjëra të ndaluara. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Ai është i Cili pranon pendimin nga robërit e Tij dhe fal të këqijat e gjynahet dhe Ai di mirë çfarë bëni ju.”[3]

Në këtë kontekst vlen të përmendim se fjala “Afu’un” vjen në formë hiperbole dhe nënkupton se Falja hyjnore është e vazhdueshme, ashtu sikurse nënkuptohet se mëkatet fshihen plotësisht.

“Kerim” (Bujar):

“Kerim” është një prej emrave dhe atributeve të Allahut të Madhëruar që nëkupton se Ai fal, e kur e jep premtimin (për të falur) e mban atë dhe kur dhuron dhuron më tepër. Ai është Bujari, bujaria e të Cilit nuk mbaron kurrë.

“Tuhib bul Af’ue” (e do faljen):

Që do të thotë se Allahu i Madhëruar dëshiron që t’i falë robërit e Tij e jo t’i ndëshkojë, sepse mëshira e Tij ia ka kaluar zemërimit të Tij.

“Fa’fu an ni” (më fal mua)

Që do të thotë se njeriu e pranon që është gabimtar, mëkatar dhe gjyhnaqar dhe kërkon prej Allahut të Madhëruar nëpërmjet emrave dhe atributeve të Tij që ta falë atë.

Vlerat dhe dobitë nga kjo lutje:

1 – Kjo lutje është e pëlqyeshme që të bëhet në çdo kohë, veçanërisht në 10 – netët e fundit të Ramazanit në kërkim të Natës së Kadrit.

2 – Allahu i Madhëruar ia fal mëkatet robit të Tij që me sinqeritet e përgjërim i drejtohet Atij me këtë lutje.

3 – Nëpërmjet kësaj lutje, besimtari afrohet sa më shumë tek Allahu i Madhëruar, sepse lutja është adhurim.

4 – Bindja se Allahu i Madhëruar i fal mëkatet. Allahu i Madhëruar thotë: “Padyshim që Allahu nuk fal t’i vehen Atij shokë në adhurim, por Ai fal përveç kësaj.”[4]

5 – Nuk ka dyshim se mësuesi më i mirë është Profeti (a.s) i cili na ka mësuar si t’i drejtohemi Allahut të Madhëruar me lutje.

[1] – Tirmidhiu, Nesai, Ibn Maxheh dhe Ahmedi. Hadithi wshtw Sahih.

[2] – Duke u bazuar tek gjuha arabe.

[3] – Sure Shura: 25.

[4] – Sure Nisa: 48.

Exit mobile version