Ambasadori i ri i Kosovës në Katar, Fuad Morina dorëzon letrat kredenciale

Ambasadori i ri i Kosovës në Katar, Fuad Morina i ka dorëzuar dje kredencialet ministrit të Punëve të Jashtme të këtij shtetit, Sulltan bin Saad Al Muraikhi.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi të bërë në faqen zyrtare të Qeverisë së Katarit.

Në njoftim thuhet se përveç ambasadorit të Kosovës, kredencialet i kanë dorëzuar edhe disa ambasadorë të shteteve të tjera.

“Ministri i Shtetit për Punët e Jashtme SH.T. Sulltan bin Saad Al Muraikhi dje ka pranuar letrat kredenciale të ambasadorit të Republikës së Mozambikut në Katar SH.T. Isac Mamudo Massamby, ambasadorit të Republikës së Kosovës SH.T. Fuad Morina, ambasadorit të Republikës së Kongos- Brazzaville (jo rezident) SH.T. Celestin Jean Paul, Ambasadori i Vatikanit (jorezident) SH.T. Kryepeshkopi Eugene Martin Nugent, Ambasadori i Republikës së Sllovenisë (jorezident) SH.T. Mateja Prevolasek, dhe Ambasadori i Republikës së Kilit (jorezident ) HE Jorge Daccarett”, thuhet në njoftim.

Ministri i Shtetit për Punë të Jashtme i Katarit u ka uruar ambasadorëve të rinj sukses në kryerjen e detyrave të tyre, duke i garantuar ata se do tu ofroj të gjithë mbështetjen për avancimin e marrëdhënieve mes Katarit dhe Mozambikut, Kosovës, Kongos-Brazzavilit, Vatikanit, Sllovenisë dhe Kilit për një bashkëpunim më të ngushtë në fusha të ndryshme.