Më shumë se 75 për qind e shtëpive në SHBA janë të papërballueshme për një familje mesatare, sipas një analize të re nga kompania e financave personale “Bankrate”, transmeton Anadolu.
Bankrate e përkufizon përballueshmërinë si shpenzime banesore që nuk tejkalojnë 30 për qind të të ardhurave të një familjeje, tha CBS News.
Në vitin 2024, të ardhurat mesatare të familjeve amerikane ishin rreth 84.000 dollarë, ndërsa për të përballuar një shtëpi tipike me çmim rreth 435.000 dollarë nevojiteshin të ardhura vjetore prej rreth 113.000 dollarësh, tregoi analiza.
“Vetëm një pjesë shumë e vogël e tregut të banesave është e përballueshme për familjen mesatare”, ka thënë analisti i të dhënave në Bankrate, Alex Gailey.
“Kjo është koha kur posedimi i shtëpisë fillon të duket më pak si një arritje e zakonshme e klasës mesatare dhe më shumë si një luks”, ka shtuar ai.
Ekspertët kanë theksuar se posedimi i shtëpisë tradicionalisht ka qenë bazë për ndërtimin e pasurisë, por mungesa kombëtare e banesave të përballueshme ka bërë që blerja të jetë e paarritshme për shumë amerikanë.
Shoqata Kombëtare e Ndërtuesve të Banesave ka thënë se vetëm 24 për qind e blerjeve të banesave në vitin 2024 janë bërë nga blerës për herë të parë, duke rënë ndjeshëm nga 50 për qind në vitin 2010.
SHBA-ja përballet me një mungesë prej rreth 4,7 milionë njësish banesore, sipas një analize të korrikut 2024 nga vegla onlajn “Zillow”.
Në qytete me kosto të lartë si New York, San Francisco dhe Seattle, familjet duhet të fitojnë mbi 200.000 dollarë në vit për të përballuar një shtëpi me çmim mesatar.
Sipas të dhënave të vitit 2025, rreth 65 për qind e familjeve amerikane zotëronin shtëpitë e tyre, një ulje nga kulmi mbi 69 për qind në vitin 2004, tregojnë të dhënat e Rezervës Federale.
Gailey ka shtuar se “rajonet jugore dhe perëndimore kanë perspektiva më të ndritshme”, duke përmendur rregullime më të lehta për lejet dhe stimuj më të mirë që mund të mbështesin ndërtimin e shtëpive në të ardhmen.
