Ministri turk i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Alparslan Bayraktar, ka njoftuar se anija e kërkimeve sizmike ‘Oruç Reis‘ ka përfunduar 50 për qind të punimeve të saj sizmike në detet e Somalisë, transmeton Anadolu.
Në një postim nga llogaria e tij në median sociale X, ministri Bayraktar njoftoi se është takuar në Istanbul me një delegacion somalez të udhëhequr nga ministri i Naftës dhe Burimeve Minerale, Dahir Shire Mohamed.
Duke informuar lidhur me punën e kryer në Somali, Bayraktar tha se kanë vendosur të fillojnë një proces të ri bashkëpunimi në fushën e minierave.
“Do të vazhdojmë punimet tona për të sjellë bashkëpunimin tonë në fushën e energjisë dhe minierave, në një nivel që i përshtatet marrëdhënieve të ngushta dhe të sinqerta mes vendeve tona”, shkroi Bayraktar.
Anija ‘Oruç Reis’ po kryen kërkime sizmike tre-dimensionale në ujërat e Somalisë, duke mbledhur të dhëna për eksplorimin e naftës dhe gazit natyror për një periudhë prej gjashtë deri në shtatë muaj.
Këto të dhëna do të analizohen në kryeqytetin turk Ankara për të identifikuar vendet e mundshme të shpimit.