Drejtori i Komunikimeve, Fahrettin Altun, në reagimin e tij në Twitter lidhur me vdekjen e 12 nga 22 emigrantët e shtyrë nga rojet kufitare greke ka shkruar:
“Ndoshta janë trupat që po ngrijnë, por është ‘njerëzimi’ i Perëndimit që po vdes”.
“Kjo shkelje e paskrupullt po ndodh para syve të gjithë botës. Ne e dënojmë këtë pandërgjegjshmëri. Greqia nuk e bën e vetme këtë krim. Bota perëndimore nuk i thotë ‘stop’ Greqisë, përkundrazi e inkurajon atë. Ndoshta ato që ngrijnë janë trupat, por ajo që vdes është ‘njerëzimi’ i Perëndimit. Turp të kenë”, ka shtuar Altun.
Nga 22 migrantë të parregullt të prapësuar nga rojet kufitare të Greqisë në Edirne të Turqisë, 12 prej tyre kishin vdekur nga ngrirja.
Trupat e migrantëve të ngrirë, të cilët rojet kufitare greke i kishin detyruar me forcë të ktheheshin prapa duke u marrë atyre këpucët, rrobat e trupit, u gjetën në vendin e quajtur Mandakoru pranë fshatit Pashakoy të nënprefekturës së Ipsalës.
“Një nga dhjetë migrantët e shpëtuar u vendos në spitalin shtetëror të Keshanit. Vazhdon operacioni i kërkim-shpëtimit për gjetjen e emigrantëve të tjerë që mund të kenë nevojë për ndihmë. Një hetim është nisur për vdekjen e emigrantëve”, tha në një deklaratë Zyra e Prefektit të Edirnesë.
Kurse ministri i Punëve të Brendshme, Sulejman Sojllu (Süleyman Soylu) në deklaratën që bëri në Twitter shkroi:
“Dymbëdhjetë nga 22 emigrantët ‘të shtyrë prapa’ nga forcat kufitare greke dhe të zhveshur nga rrobat dhe këpucët ‘kanë ngrirë deri në vdekje’. BE-ja është e dëshpëruar, e dobët dhe pa ndjenja njerëzore. Rojet kufitare greke sillen si kriminelë ndaj viktimave dhe me dhembshuri ndaj anëtarëve të Organizatës Terroriste Fetullahiste (FETO).”
Ministri Soylu e shoqëron postimin e tij edhe me disa foto nga vendi ku u gjetën migrantët e ngrirë.
Zëvendësministri i Jashtëm turk Yavuz Selim Kiran i kërkoi Athinës që t’u japë fund sa më shpejt të jetë e mundur veprimeve të paligjshme kundër migrantëve, veçanërisht praktikës së prapësimit të tyre në mënyrë të rrezikshme
“Turqia e ka paralajmëruar vazhdimisht komunitetin ndërkombëtar se Roja Bregdetare Greke po angazhohet në praktikën e rrezikshme të dëbimit të refugjatëve [nga territori i saj dhe ujërat e saj territoriale]. Veprime të tilla çojnë në pasoja tragjike, veçanërisht gjatë motit të ftohtë. Greqia duhet t’i japë fund këtij lloj aktiviteti të paligjshëm sa më shpejt të jetë e mundur”, ka shkruar Kiran në Twitter. /trt