“Ne s’mund të harrojmë objektivin e shumëpritur për t’i dhënë fund pushtimit dhe për të realizuar një zgjidhje me dy shtete”, deklaroi Antonio Guterres në një takim të Komitetit për Ushtrimin e të Drejtave të Patjetërsueshme të Popullit Palestinez (CEIRPP).
Shefi i OKB-së tha se situata në territoret e pushtuara palestineze, përfshi këtu edhe Jerusalemin Lindor, vazhdon të paraqesë një “sfidë të rëndësishme” për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
“Premtimi për pavarësinë e shtetit palestinez mbetet i paplotësuar. Kushtet politike, ekonomike dhe të sigurisë në të gjitha territoret e pushtuara palestineze janë duke u përkeqësuar, sepse palestinezët po përjetojnë nivele të larta shpronësimi, dhune dhe pasigurie”, theksoi Guterres.
Ai u kërkoi të gjitha palëve që të ndërmarrin hapa konkrete, të cilat – sipas tij – do të mundësojnë kthimin në rrugën e negociatave kuptimplote dhe një paqe të drejtë e të qëndrueshme.
“Zgjidhja duhet të fokusohet në përpjekjet për t’i dhënë fund okupimit në përputhje me rezolutat e OKB-së, të drejtën dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Objektivi mbetet dy shtete – Izraeli dhe një shtet palestinez i pavarur, demokratik, kufitar, i jetueshëm dhe sovran – që jetojnë krah për krah në paqe brenda kufijve të sigurt dhe të njohur, në bazë të vijave (kufitare) të (përcaktuara) para vitit 1967, me Jerusalemin si kryeqytet të përbashkët të të dyja shteteve”, saktësoi kreu i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
“Nuk ka një plan B”, shtoi ai duke potencuar se nuk ka alternativë përveç zgjidhjes me dy shtete. /trt