Apcoa synon që deri në vitin 2035 të ndërtojë 100 mijë stacione të mbushjes të veturave elektrike

Kompania e parkingjeve Apcoa ka njoftuar se planifikon që deri në vitin 2035 ta bëjë ndërtimin e 100 mijë stacioneve të mbushjes të veturave elektrike – duke synuar që të bëhet lider në këtë fushë

Në Evropë, Apcoa është një nga operatorët liderë të parkingjeve. Kompania tani dëshiron që ta shfrytëzojë këtë pozitë që e ka në treg për të hyrë në një burim tjetër fitimprurës duke instaluar stacione mbushëse.

Ata planifikojnë instalimin e një numri total prej 100 mijë stacioneve të mbushjes në garazhet dhe parkingjet e tyre. Projekti pritet të përfundojë deri në vitin 2035.

Deri më sot kompania ka rreth 2,500 stacione mbushëse në 13 vende shkruajnë mediet e huaja.

Stacionet e planifikuara të mbushjes do të kufizohen në kapacitetin prej 11 deri në 22 kilovat. Megjithatë, kjo do të plotësohet me kolona të mbushjes së shpejtë që do të instalohen nga palët e treta në parkingjet që menaxhohen nga Apcoa. Ky plan parasheh ndërtimin e 1 mijë kolonave të tilla.

Drejtori ekzekutiv i Apcoa, Philippe Op de Beeck e sheh instalimin e këtyre kolonave si një tjetër shtyllë financiare.

“Ne si operatorë, e shohim një potencial të rëndësishëm të të ardhurave shtesë në përmirësimin e parkingjeve shtesë me stacione të e-mbushjes dhe të shërbimeve tjera urbane”, deklaroi ai.