Sipas deklaratave të lëshuara sot nga ministritë e jashtme saudite dhe kuvajtiane në kompaninë amerikane të mediave sociale X, Arabia Saudite dhe Kuvajti dënuan vendimin izraelit për të shndërruar tokën në Bregun Perëndimor të pushtuar në “pronë shtetërore” nën autoritetin e pushtuesit, transmeton Anadolu.
Ministria saudite dënon planet që synojnë imponimin e një “realiteti të ri ligjor dhe administrativ” në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke thënë se masa të tilla do të “minojnë përpjekjet e vazhdueshme për të arritur paqen dhe stabilitetin në rajon”.
“Nuk ka sovranitet izraelit mbi territoret e pushtuara palestineze”, tha ministria saudite duke hedhur poshtë pamëdyshje masat e paligjshme që janë “shkelje serioze e së drejtës ndërkombëtare” dhe minojnë zgjidhjen me dy shtete.
Ministria e Jashtme e Kuvajtit në një deklaratë, dënoi vendimin izraelit dhe e përshkroi veprimin si një “vendim të pavlefshëm”, duke i kërkuar komunitetit ndërkombëtar të “pengojë ato shkelje izraelite”. “Është absolutisht e papranueshme të imponohet sovranitet jo-palestinez mbi Bregun Perëndimor të pushtuar”, tha ministria.
“Çdo vendim për të aneksuar tokën në Bregun Perëndimor të pushtuar do të konsiderohet i pavlefshëm dhe i paligjshëm dhe do të minojë përpjekjet ndërkombëtare që synojnë arritjen e një paqeje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit dhe zgjidhjen me dy shtete”, theksoi ministria.
Kuvajti përsëriti “qëndrimin e tij parimor dhe të palëkundur” në mbështetjen e të drejtës së popullit palestinez për të krijuar një shtet të pavarur në kufijtë e vitit 1967 me Kudsin Lindor si kryeqytet.
Kuvajti i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të marrë përsipër “përgjegjësitë e tij ligjore, morale dhe humanitare” për të frenuar atë që e përshkroi si shkelje izraelite dhe për të mbrojtur të drejtat palestineze, duke promovuar njëkohësisht sigurinë dhe stabilitetin në rajon, shtoi deklarata.
Më parë, Katari dënoi gjithashtu vendimin e Izraelit për të klasifikuar tokën e Bregut Perëndimor si “pronë shtetërore”, duke e quajtur atë një zgjatim të asaj që e përshkroi si plane të paligjshme të Izraelit për t’i hequr popullit palestinez të drejtat e tij.
Deklaratat erdhën një ditë pasi qeveria izraelite miratoi një propozim që lejon sekuestrimin e tokës palestineze në Bregun Perëndimor duke e regjistruar atë si “pronë shtetërore”, duke shënuar hapin e parë të tillë që nga viti 1967.
Transmetuesi publik i Izraelit raportoi se propozimi u paraqit nga ministri i Financave Bezalel Smotrich, ministri i Drejtësisë Yariv Levin dhe ministri i Mbrojtjes Israel Katz. “Channel 7” raportoi se masa përfshin hapjen e procedurave të regjistrimit të tokës që më parë ishin ngrirë, anulimin e legjislacionit të vjetër jordanez dhe zbulimin e të dhënave të tokës që kanë mbetur konfidenciale për dekada.
Palestinezët i shohin masat si një fillim për aneksimin formal të Bregut Perëndimor dhe si një hap drejt aneksimit “de facto” të pjesëve të mëdha të territorit, lëvizje që ata thonë se do të minojë kuadrin e zgjidhjes me dy shtete të miratuar nga OKB-ja.
