Arabia Saudite mohon krizën diplomatike me Libanin

Ministri i Punëve të Jashtme i Arabisë Saudite, Faisal bin Farhan, ka mohuar se vendi i tij ka një krizë diplomatike më Libanin, duke theksuar se Riadi çdo angazhim me Bejrutin e sheh “jo produktiv”, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Nuk mendoj se do ta quaja krizë. Por ne kemi arritur në përfundimin se ballafaqimi me Libanin dhe qeverinë aktuale të tij nuk është produktiv dhe nuk është i dobishëm”, tha kryediplomati saudit për CNBC.

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Bahreini tërhoqën ambasadorët e tyre nga Libani në shenjë proteste ndaj komenteve kritike për fushatën ushtarake saudite në Jemen të ministrit libanez të informacionit, George Kordahi, në një intervistë televizive që thuhet se është regjistruar para se ai të merrte postin në kabinetin e ri të kryeministrit Najib Mikati.

I pyetur nëse ai “mendon se (rebelët) Houthi, ashtu si Hezbollah-u, po mbrojnë tokën e tyre si një organizatë e armatosur, Kordahi u përgjigj se, “Sigurisht që ata po mbrojnë veten. Mendimi im personal është se kjo luftë në Jemen duhet të përfundojë. Shtëpitë, ndërtesat, fshatrat dhe qytetet po sulmohen nga avionët luftarakë”.

Kryediplomati saudit tha se komentet e ministrit libanez përfaqësojnë një “simptomë të një realiteti, një realiteti që skena politike në Liban vazhdon të mbizotërohet nga Hezbollah-u, një grup terrorist, një grup që, meqë ra fjala, armatos, furnizon dhe stërvit atë milicinë Houthi”.

Jemeni është përfshirë nga dhuna dhe paqëndrueshmëria që nga viti 2014, kur rebelët Houthi të lidhur me Iranin pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana. Një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite, që synon të rikthejë në pozitën e mëparshme qeverinë jemenase, ka përkeqësuar situatën dhe ka shkaktuar një nga krizat më të këqija humanitare të krijuara nga njeriu në botë.

Ministri bin Farhan kritikoi “ngurrimin e qeverisë libaneze”, siç tha ai, për të miratuar reformat e nevojshme dhe veprimet e nevojshme për ta çuar Libanin drejt ndryshimit të vërtetë”.

Që nga fundi i vitit 2019, Libani është përballur me sfida të rënda të brendshme, përfshirë nënvlerësimin masiv të monedhës, si dhe mungesat e karburantit dhe furnizimeve mjekësore.

Marrëdhëniet midis Arabisë Saudite dhe Iranit

Lidhur me marrëdhëniet e Arabisë Saudite me Iranin pas bisedimeve të fundit midis dy rivalëve, bin Farhan tha se marrëdhëniet janë “të ngrohta” dhe bisedimet janë “eksploruese”.

“Ne po flasim. Ne në mbretëri jemi të përkushtuar të gjejmë një rrugë drejt farkëtimit të mirëkuptimeve me Iranin që adreson një paqëndrueshmëri të sigurisë rajonale në një mënyrë që të gjithë të mund të fokusohemi në ndërtimin e një të ardhme të begatë për popujt tonë”, tha bin Farhan.

Ai tha se bisedimet midis Riadit dhe Teheranit aktualisht janë në një “natyrë eksploruese”, duke shpjeguar se të dy vendet kanë mbajtur katër raunde bisedimesh dhe paralajmëroi për një mundësi për një raund tjetër.

“Ne po e përpunojmë atë. Ne nuk kemi arritur në të vërtetë ndonjë përparim përfundimtar. Por ato kanë qenë, do të thosha, mjaft pozitive për të lejuar diskutime të mëtejshme përtej, por asgjë konkrete deri më tani”, u shpreh ai.

Arabia Saudite dhe Irani ndërprenë marrëdhëniet diplomatike në muajin janar të vitit 2016 pas një sulmi në ambasadën saudite në Teheran, pasi kleriku shiit, Nimr al-Nimr, u ekzekutua nga autoritetet saudite.

Marrëdhëniet midis dy rivalëve u përkeqësuan më tej pasi Irani në shtator të vitit 2016 akuzoi autoritetet saudite se shkaktuan qëllimisht vdekjen e rreth 400 pelegrinëve iranianë në një rrëmujë të vitit 2015 në qytetin e shenjtë musliman të Mekës.

Që atëherë, të dy palët janë përfshirë në një rivalitet të fortë rajonal, shpesh herë duke akuzuar njëra njëra-tjetrën se po zhvillojnë një luftë të ndërmjetme për ndikimin rajonal.

Përpjekjet diplomatike për të thyer akullin midis rivalëve të vjetër rajonal janë intensifikuar muajt e fundit, me zyrtarë të të dyja palëve që përmendin përparim në bisedimet e ndërmjetësuara nga Iraku.

Tashmë ka lëvizje tek të dy palët që ranë dakord për të rihapur konsullatat si hapi i parë drejt rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike. /aa