Një zbulim i rrallë arkeologjik në Itali ka nxjerrë në dritë një dhomë varrimi etruske të mbyllur plotësisht për më shumë se 2,600 vjet, ku u gjetën katër skelete dhe mbi 100 objekte funerare të ruajtura në gjendje të shkëlqyer.
Varri u zbulua në zonën e San Giuliano, rreth 70 kilometra në veriperëndim të Romës, në një rajon kodrinor të Italisë qendrore. Projekti kërkimor arkeologjik në këtë zonë po drejtohet nga studiues të Baylor University, në bashkëpunim me institucione italiane.
Sipas arkeologut Davide Zori, një nga drejtuesit e projektit, bëhet fjalë për një nga zbulimet më të rëndësishme të dekadave të fundit për të kuptuar qytetërimin para-romak.
“Një dhomë varrimi e kësaj moshe, e ruajtur plotësisht dhe e pa prekur, nuk është gërmuar kurrë më parë në këtë rajon me teknika moderne arkeologjike”, deklaroi ai.
Brenda varrit, arkeologët gjetën katër skelete të vendosura mbi shtretër guri të skalitur. Rreth tyre ndodheshin më shumë se 100 objekte funerare, përfshirë enë qeramike, armë hekuri, zbukurime bronzi dhe aksesorë delikatë argjendi për flokët.
Analizat paraprake sugjerojnë se të varrosurit mund të jenë dy çifte mashkull-femër, megjithatë studiuesit presin rezultate më të detajuara laboratorike për të konfirmuar identitetin dhe lidhjet mes tyre.
Projekti kërkimor në San Giuliano ka nisur në vitin 2016 dhe deri më tani janë zbuluar mbi 600 varre në nekropolin që rrethon qytetin e lashtë etrusk, i ndërtuar mbi një pllajë shkëmbore.
Megjithatë, të gjitha dhomat e tjera të varrimit, të gdhendura në shkëmb dhe të ndërtuara në formën e një shtëpie të vogël me çati të pjerrët, ishin grabitur më parë. Disa prej tyre rezultojnë të jenë plaçkitur që në fillimet e pushtimit romak, në fund të shekullit III para Krishtit.
Ky është rasti i parë në zonë ku një varr i kësaj periudhe është gjetur i paprekur.
Studiuesit besojnë se qindra varret etruske të gdhendura në shkëmb përreth pllajës kanë qenë të lidhura me qytetin antik që ndodhej aty.
Projekti synon të rindërtojë historinë e gjatë të banimit në këtë zonë, nga periudha etruske, te përfshirja në Perandorinë Romake, transformimi në një kështjellë mesjetare dhe braktisja përfundimtare e vendbanimit para vitit 1300.
Për studentët e përfshirë në kërkime, përvoja ishte unike. Një prej tyre e përshkroi momentin si “surreal”, duke theksuar se zbulime të tilla janë ëndrra e çdo arkeologu.
Ekspertët theksojnë se studimi i plotë i materialeve të zbuluara sapo ka nisur dhe se ky varr i paprekur mund të ofrojë të dhëna të reja dhe të vyera mbi jetën, ritualet dhe strukturën shoqërore të etruskëve, një qytetërim kyç në historinë e Italisë para ngritjes së Romës.
