Ballina Lajmet Kosovë Arrestohet edhe një i dyshuar për sulmin në Ibër-Lepenc, policia i gjen...

Arrestohet edhe një i dyshuar për sulmin në Ibër-Lepenc, policia i gjen armë e municion

Policia e Kosovës ka njoftuar se të dielën në mbrëmje ka arrestuar edhe një të dyshuar për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

“Në vazhdimësi të hetimeve lidhur me rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike, por edhe rasteve paraprake, nga njësitë relevante hetimore, në bashkëpunim edhe me njësitë tjera policore, me datën 01/12/2024 në orët e mbrëmjes, është arrestuar edhe një i dyshuar (J.V.), nën dyshimin që mund të ketë pasur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike”, thuhet në njoftim.

Në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur granata dore, armë e municion.

“Në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, është zbatuar kontrolli në shtëpinë ku banonte i dyshuari, me ç’rast janë sekuestruar dëshmi dhe prova materiale, si më poshtë: Katër granata dore, një pushkë gjuetie, mbi 500 copë municion të kalibrave të ndryshëm, dy karikatorë të armës automatike AK-47, një karikatorë i pushkës së gjatë, një radiolidhje, një palë dylbi, një kamerë kamufluese, uniforma ushtarake dhe dokumente të ndryshme”, thuhet në njoftim.

Exit mobile version