Disa artistë portugezë kanë njoftuar bojkotin e Eurovisionit për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit në konkurs. Sipas Euronews, 17 muzikantë që marrin pjesë në Festival da Canção, gara kombëtare për përzgjedhjen e përfaqësuesit të Portugalisë, kanë deklaruar se do të refuzojnë të përfaqësojnë vendin edhe nëse zgjidhen.
Artistët kanë publikuar një deklaratë të përbashkët ku shprehin kundërshtimin ndaj asaj që e quajnë pjesëmarrje të diskutueshme të Izraelit. “Me fjalë dhe me këngë, ne veprojmë brenda mundësive që na jepen. Nuk pranojmë bashkëfajësi me shkeljen e të drejtave të njeriut,” thuhet në deklaratë.
Ata kanë krahasuar situatën me përjashtimin e Rusisë nga Eurovisioni në vitin 2022 për arsye politike, duke shprehur habi pse i njëjti qëndrim nuk është mbajtur ndaj Izraelit, për të cilin, sipas Kombeve të Bashkuara, po kryen akte gjenocidi ndaj palestinezëve në Gaza.
Ky reagim vjen pasi Islanda i është bashkuar Irlandës, Spanjës, Holandës dhe Sllovenisë në tërheqjen nga Eurovision 2026. /mesazhi
