Artistja sudaneze refuzon çmimin francez për shkak të akteve antiislame

Një artiste sudaneze ka refuzuar një çmim francez në shenjë proteste ndaj botimit të karikaturave fyese të Profetit Muhamed dhe komenteve të fundit antiislame të presidentit francez, transmeton Anadolu Agency (AA).

Artistja Kamala Ibrahim Ishaq nuk do të pranojë Medaljen e Arteve dhe Letrave të Republikës Franceze pas publikimit të karikaturave që fyejnë Profetin Muhamed, raportoi Agjencia e Lajmeve e Sudanit.

Qëndrimi i Ibrahim ka qenë gjithashtu “reagim ndaj deklaratave të presidentit francez Emmanuel Macron në të cilat ai tha se vizatimet do të vazhdojnë”, thuhet më tej.

Ibrahim, e lindur në vitin 1939 dhe një nga artistet më të shquara të Sudanit, do të shpërblehej me Medaljen Franceze të Arteve dhe Letrave më 2 nëntor në Institutin Kulturor Francez në Khartoum.

Në javët e fundit, Macron është kritikuar për sulmet e tij ndaj Islamit dhe komunitetit musliman.

Më parë këtë muaj, ai njoftoi një plan të diskutueshëm për të trajtuar atë që ai e quajti “separatizëm islamik” në Francë, duke e përshkruar Islamin si “një fe në krizë në gjithë botën”.

Charlie Hebdo, një revistë satirike franceze famëkeqe për publikimin e karikaturave antiislame, ribotoi karikaturat që fyen Islamin dhe Profetin Muhamed në fillim të këtij viti.

Macron ka mbrojtur karikaturat blasfemike, duke thënë se Franca “nuk do të heqë dorë nga karikaturat” pas vrasjes brutale të Samuel Paty, një mësuesi të cilit iu pre koka në një periferi të Parisit pasi tregoi karikaturat në klasë gjatë një ore mësimore mbi lirinë e fjalës.

Në botën islame është shkaktuar një valë zemërimi dhe protestash kundër Francës dhe në disa vende kanë filluar fushata për të bojkotuar produktet franceze.