Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Australia kërkon nga qytetarët e saj të largohen nga Izraeli dhe Territoret...

Australia kërkon nga qytetarët e saj të largohen nga Izraeli dhe Territoret Palestineze të Pushtuara

“Sulmet ushtarake mund të rezultojnë në mbyllje të hapësirës ajrore, anulime dhe devijime fluturimesh, si dhe në ndërprerje të tjera të udhëtimit. Aeroporti Ndërkombëtar Ben Gurion i Tel Avivit në çdo kohë mund të ndalojë operacionet…”

Australia u ka bërë thirrje qytetarëve të saj “si në Izrael ashtu edhe në territoret palestineze të pushtuara” që të largohen mes raporteve për një sulm izraelit kundër Iranit, transmeton Anadolu.

Në një këshillë të përditësuar për udhëtimet, Ministria e Punëve të Jashtme e Australisë tha se australianëve në Izrael ose në territoret palestineze të pushtuara u kërkohet të largohen nëse është e sigurt për ta bërë këtë.

“Sulmet ushtarake mund të rezultojnë në mbyllje të hapësirës ajrore, anulime dhe devijime fluturimesh, si dhe në ndërprerje të tjera të udhëtimit. Aeroporti Ndërkombëtar Ben Gurion i Tel Avivit në çdo kohë mund të ndalojë operacionet për shkak të shqetësimeve të shtuara të sigurisë”, tha ministria australiane.

Ministria po ashtu paralajmëroi se situata e sigurisë mund të përkeqësohet shpejt, “me pak ose pa asnjë njoftim”.

Sipas mediave amerikane dhe iraniane, Izraeli kreu një sulm brenda Iranit, por asnjë nga raportet nuk i identifikoi objektivat.

Sulmi erdhi si përgjigje ndaj sulmit të paprecedentë të Iranit ndaj Izraelit gjatë fundjavës së kaluar.

Zyrtarë anonimë amerikanë thanë për CBS News dhe ABC News se Izraeli përdori raketa balistike për të goditur Iranin.

Televizioni zyrtar shtetëror i Iranit konfirmoi “shpërthime masive” në provincën qendrore Isfahan, por theksoi se asnjë objekt bërthamor nuk u prek apo u shënjestrua. Agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve Mehr raportoi se tre drone u shkatërruan në qiellin mbi Isfahan.

Ushtria izraelite ende nuk e ka komentuar sulmin e raportuar, por tha se një takim i sigurisë aktualisht është duke u zhvilluar në Ministrinë e Mbrojtjes në Tel Aviv.

Exit mobile version