Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Avionët bombardues rusë fluturojnë mbi Bjellorusi mes tensioneve në rritje me Ukrainën

Avionët bombardues rusë fluturojnë mbi Bjellorusi mes tensioneve në rritje me Ukrainën

Rusia dërgoi ditën e shtunë avionë bombardues me aftësi bërthamore me rreze të gjatë veprimi mbi aleatin e saj Bjellorusi, ndërkohë që marrëdhëniet me Ukrainën dhe Perëndimin janë të tensionuara.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se dy aeroplanët bombardues Tu-22M3 praktikuan ndërveprimin me forcat ajrore bjelloruse dhe mbrojtjen ajrore gjatë një misioni katër orësh. Misioni erdhi pasi Kremlini ka zhvendosur trupat nga Siberia dhe Lindja e Largët në Bjellorusi për stërvitje të përbashkëta gjithëpërfshirëse. Dislokimi i shtoi ngritjes ushtarake ruse pranë Ukrainës, duke nxitur frikën perëndimore për një pushtim të mundshëm.

Rusia ka mohuar çdo plan për të sulmuar Ukrainën, por i ka kërkuar SHBA-së dhe aleatëve të saj të zotohen se nuk do ta pranojnë Ukrainën në NATO, nuk do të vendosin armë sulmuese dhe do të zhbëjnë dislokimet e NATO-s në Evropën Lindore. Uashingtoni dhe NATO i kanë hedhur poshtë kërkesat.

Perëndimi nga ana tjetër i ka bërë thirrje Rusisë që të tërheqë rreth 100,000 trupa nga zonat afër Ukrainës, por Kremlini është përgjigjur duke thënë se do të vendosë trupa kudo që të ketë nevojë në territorin rus. Ndërsa tensionet mbi Ukrainën u rritën, ushtria ruse ka nisur një seri lojërash luftarake që po përhapen nga Arktiku në Detin e Zi.

Dislokimi i trupave ruse në Bjellorusi ngriti shqetësimet në Perëndim se Moska mund të organizonte një sulm ndaj Ukrainës nga veriu. Kryeqyteti ukrainas i Kievit është vetëm 75 kilometra (50 milje) nga kufiri me Bjellorusinë.

Mes tensioneve me Perëndimin, Putin mori pjesë të premten në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore në Pekin dhe u takua me liderin e Kinës Xi Jinping për të forcuar aleancën e dy vendeve. Në një deklaratë të përbashkët, Putin dhe Xi shprehën kundërshtimet e tyre ndaj çdo zgjerimi të NATO-s, ndërsa pohuan se ishulli i Tajvanit është pjesë e Kinës.

Putin dhe Xi njoftuan se marrëdhëniet midis Moskës dhe Pekinit janë “superiore ndaj aleancave politike dhe ushtarake të epokës së Luftës së Ftohtë” dhe miqësia e tyre “nuk ka kufij”. /tiranapost

Exit mobile version