Banka Botërore thotë se përkrah reformimin e skemave të ndihmës sociale në Kosovë, ndahen 47 milionë euro kredi

Banka Botërore njofton se ka miratuar Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale për Kosovën, i cili sipas tyre, synon ta përmirësojë paanshmërinë dhe përshtatshmërinë e programeve të ndihmës dhe mbrojtjes sociale.

Sipas BB-së, mbështetja financiare për këtë projekt është 47 milionë euro kredi nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA) me afat të shlyerjes për 30 vjet.

“Kosova e ndan një pjesë të rëndësishme të buxhetit të saj për programet e mbrojtjes sociale, por efikasiteti dhe ndikimet rishpërndarëse të këtyre programeve mund të përmirësohen, veçanërisht në kontekstin e COVID-19. Banka Botërore i mbështet përpjekjet e Kosovës për ta reformuar Skemën e Ndihmës Sociale, në mënyrë që ajo të jetë më e paanshme, më efikase dhe më fleksibile, dhe kështu më e pajisur për të reaguar ndaj krizave në të ardhmen”, është shprehur Massimiliano Paolucci, menaxher i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.

Konkretisht, ky projekt do ta mbështesë Qeverinë e Kosovës në reformimin e dizajnit të Skemës së Ndihmës Sociale (SNS), investimin në sistemet e ofrimit të SNS-së dhe rritjen e vlerës së benificioneve nga SNS-ja, për t’i zbutur efektet ekonomike të pandemisë COVID-19.

Këtë projekt do të zbatojë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për një periudhë pesëvjeçare.