Ballina Arritje Teknologji Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim hap thirrjen e 7-të të programit...

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim hap thirrjen e 7-të të programit Star Venture dedikuar start-upeve me potencial të lartë

Aktualisht ky program operon në 22 vende të botës në Europën Jugore dhe Mesdheun Lindor, Ballkanin Perëndimor, Europën Qendrore dhe Lindore dhe Azinë Qendrore.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim hapi zyrtarisht thirrjen e 7-të të Programit Star Venture në Ballkanin Perëndimor duke ftuar start-upet, akseleratorët dhe konsulentët të eksplorojnë potencialin e tyre të plotë.

Lançuar në 2019-ën për herë të parë në Ballkanin Perëndimor, ky program ka mbështetur 47 start-upe me potencial të lartë dhe 21 akseleratorë partnerë rajonalë.

Programi drejtohet nga BERZH dhe financohet në bashkëpunim me Luksemburgun përmes Fondit të Impaktit të Bizneseve të Vogla të BERZH dhe Bashkimi Europian – Institucioni për Zhvillimin dhe Inovacionin e Ndërmarrjeve të Ballkanit Perëndimor (EDIF.)

Start-upet inovative me potencial të lartë janë të ftuara të aplikojnë për tu bërë pjesë e programit deri më 13 Maj 2024 duke plotësuar formularin në këtë lidhje: https://airtable.com/appxQWWUtDJ6MlEc5/pagcvZ4fZCC8tpvwP/form

Për të aplikuar në këtë program, start-upet duhet të plotësojnë kriteret: (1) kompania të jetë e regjistruar si sipërmarrje private; (2) të ketë një zgjidhje inovative teknologjike ose model inovativ biznesi; (3) të ofrojë mundësi të mëdha tregu; (4) të shfaqë avantazh të fortë konkurrues dhe (5) të ketë rritur të ardhurat në mënyrë substanciale brenda 3 viteve nga nisja e operacioneve.

Me tu mbyllur aplikimet, nis faza e dytë e përzgjedhjes së një liste të ngushtë start-upesh të cilat do të prezantojnë më 20 Maj 2024 ndërsa në fund të muajit Maj ose fillim të muajit Qershor do të bëhet përzgjedhja finale e start-upeve që do ti bashkohen programit.

Aplikimi dhe përzgjedhja e startupeve

Programi do të ofrohet mbi baza konkurruese dhe sipërmarrjet e përzgjedhura do ti bashkohen në kohorte ekipesh dinamike në një përvojë intensive 18-mujore bazuar në Programin e Shkallëzimit.

Përpara se të aplikoni duhet të siguroheni se keni të gjitha informacionet e nevojshme siç janë të dhënat financiare dhe prezantimi. Pas mbylljes së aplikimeve një listë e ngushtë start-upesh kandidate do të ftohen të prezantojnë përballë një paneli ekspertësh dhe investitorësh ndërkombëtarë në raundin e fundit të përzgjedhjes.

Është e rëndësishme që start-upet të përgatisin një prezantim sa më të mirë ku përshkruhet kompania, produkti dhe zgjidhja si dhe strategjia e së ardhmes. BERZH ka vënë në dispozicion dy udhëzues online në formatin video (5 Mins pitch | Pitching Example) për përgatitjen e prezantimeve 5-minutëshe që do të bëhen përballë panelit ndërkombëtar.

Mbështetje shtesë do të ofrohet nga ekipet lokale të BERZH si pjesë e sesioneve Open Doors të cilat do të fillojnë prej datës 23 Prill deri në mbyllje të aplikimeve.

Sesione do të hostohen përmes platformës Zoom në ora 11:00 në datat 23 Prill 2024, 30 Prill 2024 dhe 7 Maj 2024. Për tu bërë pjesë e këtyre sesioneve ndiqni lidhjen: https://us06web.zoom.us/j/88668268362

Programi Star Venture

Synimi i programit Star Venture është të identifikojë start-upet me potencial të lartë dhe të mobilizojë ekspertizën globale për të ndihmuar këto nisma të vogla të rriten me shpejtësi.

BERZH ofron ekspertizën e saj teknike, mentorship, këshillim lokal dhe ekspertizë për zhvillim strategjik biznesi duke i ndihmuar këto start-upe të identifikojnë mundësi të reja për rritje.

Aktualisht ky program operon në 22 vende të botës në Europën Jugore dhe Mesdheun Lindor, Ballkanin Perëndimor, Europën Qendrore dhe Lindore dhe Azinë Qendrore.

Që nga themelimi janë mbështetur më shumë se 600 kompani në fazat e para të rritjes ndërsa BERZH planifikon ta zgjerojë më tutje këtë program në vitet e ardhshme.

Hapësirat ku start-upet e përzgjedhura do të gjejnë mbështetje dhe ndërhyrje nga programi janë: Planifikimi, Zgjidhje Teknike dhe Inxhinierike, Menaxhim Financiar dhe Mbledhje Fondesh, Raportim Financiar dhe Kontabilitet, ICT dhe Dixhitalizim, Ndërkombëtarizim dhe Shkallëzim, Procese “Lean” dhe “Agile”, Ekspertizë e Qeverisjes dhe Pajtueshmërisë, Marketing, Komunikim, Shitje, Menaxhim Cilësie dhe Operacional, Organizimi, Lidership, HR, Prezantim, Marrëdhënie me Kapitalin dhe Investitorët.

Programi Star Venture ndihmon kompanitë e reja të kapërcejnë disa prej pengesave sistemike në aksesimin e mjeteve financiare duke i ndërlidhur ato me një rrjet investitorësh me interesa streategjike në hapësirën e start-upeve të fazave të hershme.

Exit mobile version