Ballina Artikuj Bashkimi domosdoshmëri e vëllazërisë

Bashkimi domosdoshmëri e vëllazërisë

Shejkh Jusuf El-Karadavi (r.a)

Një ndër domosdoshmëritë e vëllazërisë dhe format si shfaqet ajo është dhe bashkimi, i cili ka si antonim përçarjen. Një shoqëri islame e vëllazëruar është një shoqëri e bashkuar dhe unike në kredon e saj fetare, në ritualet, konceptet ideologjike, vlerat morale, normat pjellore, traditat sociale, vlerat njerëzore dhe bazat legjislative.

Ajo është unike në qëllimet dhe objektivat e saj, të cilat lidhin tokën me qiellin, dynjanë me ahiretin, krijesat me Krijuesin. Ajo është unike në bazën e metodologjive të saj, të cilat bashkojnë mes ideales dhe aktuales, mes statikes dhe zhvillimit, mes frymëzimit nga trashëgimia dhe mes përfitimit nga bashkëkohorja. Ajo është unike në burimet e saj prej të cilave orientohet dhe udhëzohet. Këto burime janë Kurani fisnik dhe tradita profetike. Ajo është unike në modelin dhe shembullin më fisnik të njerëzimit, i cili është vetë profeti Muhamed (a.s).

Shoqëria islame është një shoqëri që i beson një Zoti të vetëm, një libri të vetëm, një profeti të vetëm, ka një kible të vetme, ka rituale unike, gjykohet dhe udhëhiqet nga një legjislacion unik, besnikërinë e ka unike vetëm për Zotin, të dërguarin e tij dhe umetin mysliman. Shoqëria islame të afron dhe largon për hir të Zotit, komunikon dhe të mban mëri për hir të Tij.

Shoqërinë islame nuk duhet ta përçajnë faktorët që përçajnë dhe shoqëritë e tjera, fanatizmi racor, ngjyra, vatani, gjuha, shtresa dhe rrymat ideologjike. Vëllazëria islame qëndron mbi çdo fanatizëm, çfarëdo emri të mbajë. Profeti Muhamed (a.s) ka deklaruar se distancohet nga fanatizmi duke thënë: ”Nuk është prej nesh ai që bën thirrje për fanatizëm, nuk është prej nesh ai që lufton për hir të fanatizmit dhe nuk është prej nesh ai që vdes me fanatizëm.”

Vetë Kurani fisnik na paralajmëron për kurthet që dashakeqët e myslimanëve thurin ndaj umetit tonë, me qëllim që të na përçajnë dhe të minojnë unitetin. Që ditët e para të Islamit, hebrenjtë e Medines u orvatën me mish e me shpirt që të nxisin sërish konfliktin e përgjakshëm mes dy fiseve Eus dhe Hazrexh, të cilët Zoti i kishte pajtuar dhe bashkuar falë islamit.

“O besimtarë! Nëse i bindeni një grupi nga ata që u është dhënë Libri, ata do t’ju kthejnë në jobesimtarë, pasi patët besuar. E si mund të mos besoni kur juve ju lexohen shpalljet e Allahut dhe midis jush ndodhet i Dërguari i Tij?! Kush mbahet fort pas (fesë së) Allahut, sigurisht që është i drejtuar në udhë të mbarë.”[1]

Më poshtë Zoti u drejtohet besimtarëve duke u thënë: ”Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja e, në saje të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu, Allahu jua shpjegon shpalljet e Veta, që ju të drejtoheni në udhën e drejtë.”[2]

Në të njëjtin kontekst, Zoti i paralajmëron dhe u tërheq vëmendjen nga rreziku i përçarjes. “Mos u bëni si ata që, pasi u erdhën provat e qarta, u përçanë dhe u grindën. Për këta do të ketë dënim të madh”[3]

Mes ajetit që na urdhëron neve si besimtarë të kapemi fort pas Kuranit (litarit të Allahut) dhe ajetit që na paralajmëron mbi rrezikun e përçarjes dhe konfliktit, Zoti ka përmendur ajetin në të cilin e obligon umetin me përgjegjësinë e komunikimit të ftesës, urdhërimit për mirë dhe ndalimit nga e keqja. “Le të dalë prej jush një grup që të thërrasë për në mirësi, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të shëmtuara! Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit.”[4]

Kjo na thotë se faktori që e unifikon umetin dhe i bashkon rreshtat, është prezenca e një metodologjie unike pas të cilës kapet dhe i referohet, e që në këtë kontekst është litari shpëtues i Zotit. Po ashtu, është prezenca e një misioni të përbashkët me të cilin të merremi natë e ditë. Preokupimi dhe shqetësimi ynë më i madh duhet të jetë Kurani dhe Islami, urdhërimi për mirë dhe ndalimi nga e keqja.

Por nëse umeti heq dorë nga misioni i tij dhe humbet metodologjinë, atëherë rrugët do na ndajnë dhe përçajnë sa majtas djathtas. Asokohe shejtanët do na tërheqin sa nga lindja nga perëndimi.

“Kjo është rruga Ime e drejtë; prandaj ndiqeni e mos shkoni rrugëve të tjera që t’ju shmangin nga rruga e Tij. Kjo është ajo që ju porosit Ai për t’u ruajtur nga të këqijat.”[5]

Uniteti i kërkuar nga umeti mysliman nuk bie ndesh aspak me parimin e diversitetit të kulturave, traditave, civilizimeve … etj. Në fakt, ai vetë përbën një lloj tjetër diversiteti në kuadrin e unikes që na bashkon të gjithëve. Ai është i ngjashëm me diversitetin e dhuntive, prirjeve, ideve dhe specifikave brenda një familje të vetme, ose e diversitetit të luleve dhe frutave të një kopshti. “ujiten me të njëjtin ujë, por disa nga frutet i bëjmë më të shijshme nga të tjerat.”[6]

Për këtë, islami ka njohur të drejtën e ixhtihadit, nën hijen e parimeve të përgjithshme dhe teksteve të prera e të pandryshueshme, të cilat gëzojnë konsensusin e umetit. Prandaj, asnjë muxhtehid nuk ka të drejtë të hedhë poshtë studimet, analizat dhe gjykimet e një tjetri. Secili prej tyre ka orientimin e vet, ia qëlloi apo jo ai do të shpërblehet, përderisa ka aftësitë për ixhtihad.

Diversiteti në mendime nuk ka përse të jetë shkak i përçarjes dhe armiqësisë. Vetë shokët e Profetit (a.s) kishin mendime të ndryshme në shumë çështje, e megjithatë nuk u përçanë. Ata faleshin përkrah njëri-tjetrit dhe i respektonin mendimet e tjetrit.

Autor: Jusuf: Karadavi

Përktheu: Elmaz Fida

Ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Ali Imran: 100.

[2] – Sure Ali Imran: 103.

[3] – Sure Ali Imran: 105.

[4] – Sure Ali Imran: 104.

[5] – Sure En’am: 153.

[6] – Sure Ra’d: 4.

Exit mobile version