Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë biseduar për “pako sanksionesh të fuqishme” që do të vihen në rast të “agresionit të mëtejmë të Rusisë në Ukrainë”, është njoftuar në komunikatën e BE-së të shtunën, raporton CNN.
Sipas komunikatës, kreu i kabinetit të Presidentes së Komisionit Evropian, Bjorn Seibert, diskutoi për sanksionet gjatë bisedës së tij me këshilltarin e sigurisë nacionale të SHBA-së, Jake Sullivanin.
Ata diskutuan edhe për hapat e mëtejshëm që do të merren për t’u përgatitur për një të ardhme ku mund të ketë ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në Evropë.
SHBA-ja ka paralajmëruar se në çdo moment mund të sulmohet Ukraina nga Rusia, ndërkohë që ka bërë thirrje që qytetarët amerikanë dhe diplomatët e saj të evakuohet. Britania, Gjermania dhe Shqipëria sot kanë bërë të njëjtën thirrje. /koha