Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Bëhuni gati për “Taksën e Turizmit” të Europës prej 7 euro, duke...

Bëhuni gati për “Taksën e Turizmit” të Europës prej 7 euro, duke nisur nga viti i ardhshëm

Viti 2022 premton të ketë sezonin veror me numrin më të madh të udhëtimeve që nga viti 2019, dhe nëse gjërat vazhdojnë të ecin ashtu siç janë, ky vit mund të vendosë rekordin historik të numrit të udhëtimeve gjatë sezonit të verës.

Linjat ajrore kanë rritur çmimet për të rikuperuar humbjet e tyre, në kushtet e rritjes masive të kërkesës. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe hotelet dhe restorantet.

Megjithatë, viti 2023 ofron më shumë pyetje sesa përgjigje kur bëhet fjalë për udhëtimet. Një nga gjërat e pakta të sigurta është se udhëtarët do të përballen me kufizime të reja për të hyrë në Europë. Dhe këto kufizime nuk do të kenë asnjë lidhje me Covid-19.

Europa do të lançojë programin e saj të shumëpritur ETIAS, i cili është një autorizim elektronik për udhëtimet, i cili duhet plotësuar dhe paguar përpara udhëtimit. Padyshim që ai nuk është një “vizë”, megjithëse në fakt, është një vizë, pavarësisht se Europa nuk e pranon këtë.

Megjithatë, një gjë është e sigurt: kjo është një taksë e re prej 7 euro për udhëtimet në Europë.

Europa do të nisë programin ETIAS në maj të vitit 2023

Nëse gjithçka shkon sipas planit, shtetet anëtare të Bashkimit Europian dhe të Zonës Shengen do të nisin programin e udhëtimit ETIAS në maj të vitit 2023. Duke filluar nga muaji maj, për turizmin dhe udhëtimet drejt këtyre shteteve do të nevojitet një autorizim ETIAS përpara nisjes, për shumicën e vizitorëve.

Zona Shengen e Europës përbëhet nga:

Austria, Belgjika, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Italia, Letonia, Lihtenshtejni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia dhe Zvicra.

Në thelb, nëse do të vizitoni një nga këto vende duke filluar nga maji i vitit 2023 e tutje, ndoshta do t’ju duhet të plotësoni një ETIAS përpara se të shkoni atje, si dhe do t’ju duhet të paguani tarifën shoqëruese prej 7 euro. Për verën e vitit 2022 nuk do të ketë asnjë ndryshim.

Ky program është i ngjashëm me programin e udhëtimit “ESTA” të Shteteve të Bashkuara, duke u kërkuar të gjithë vizitorëve që të aplikojnë paraprakisht për një autorizim të udhëtimit dhe që të paguajnë një tarifë.

Programi europian i ETIAS do të kushtojë 7 €. Një ETIAS i miratuar do të ketë një vlefshmëri 3 vjeçare dhe do të mundësojë qëndrimin deri në 90 ditë për qëllime udhëtimi dhe turizmi, por jo për arsye biznesi. Ashtu si sistemi amerikan, aprovimet e kërkesave mund të zgjasin zakonisht për disa orë, rallë për disa ditë, për pjesën më të madhe të vizitorëve, por mund të shkojnë maksimalisht deri në 30 ditë.

Zona Shengen e Europës ka gjithashtu një sistem qëndrimi prej 90 ditë nga 180 ditë, dhe 180 ditë nga 365 ditë, që do të thotë se turistët nuk mund të qëndrojnë më gjatë se kohëzgjatja e këtyre periudhave në një vit.

Pra, a është ETIAS një vizë turistike?

Sipas përkufizimit të konceptit të vizës, në thelb kjo është një vizë, por duke qenë se vizat kanë një konotacion negativ, Europa është e bindur se kjo nuk është një vizë.

Megjithatë, përkufizimi i vërtetë i vizës është “autorizim i kushtëzuar i dhënë nga një shtet për një të huaj, që e lejon atë të hyjë, të qëndrojë ose të largohet nga territori i tij”.

Vizitorët nga më shumë se 60 vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar, do të duhet të paguajnë dhe të dorëzojnë një ETIAS përpara se të lejohen të hipin në çdo lloj transporti drejt një prej vendeve të zonës Shengen të Europës. /monitor

Exit mobile version