Anëtari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Denis Beqiroviq në një takim bisedoi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku u konstatua bashkërisht se të gjithë në Ballkanin Perëndimor duhet të punojnë në forcimin e bashkëpunimit rajonal, paqes, stabilitetit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, transmeton Anadolu.
Në fillim të bisedës, Beqiroviq theksoi se disa politikanë nga entiteti i Republikës Srpska në BeH duhet të ndalen me propagandën gebelsiane.
“Sot nuk diskutohet për njohjen e Kosovës, sepse është e qartë për të gjithë se një vendim i tillë kërkon konsensus në Presidencën e BeH-së. Njerëzit përgjegjës duhet të insistojnë gjithmonë në respektimin e parimeve të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, por edhe në diskutime konstruktive për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga Procesi i Berlinit. Ne nuk do të lejojmë askënd që të mendojë se ata mund të disiplinojnë udhëheqësit e shtetit të Bosnjë e Hercegovinës dhe t’u diktojnë atyre se kush, ku dhe kur mund të flasin. Le ta harrojnë atë përgjithmonë”, tha Beqiroviq.
Në takimin Beqiroviq-Kurti bashkërisht u konstatua rëndësia e vendimit të njëanshëm të Kosovës që nga 1 janari 2025, me rastin e 10-vjetorit të Procesit të Berlinit, qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës t’u lejojë lëvizjen e lirë me letërnjoftime.
Beqiroviq potencoi rëndësinë e zbatimit të të gjitha detyrimeve që dalin nga Procesi i Berlinit. Sipas tij, në Berlin u nënshkruan marrëveshje, që nënkupton një lidhje më të mirë të rajonit të Ballkanit Perëndimor, së bashku me përshtatjen me standardet e Bashkimit Evropian. Ndër të tjera u nënshkrua edhe Marrëveshja për lirinë e lëvizjes me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.
Në këtë kuptim, Beqiroviq kujtoi se marrëveshjet e Berlinit janë nënshkruar nga kryetari i Këshillit të Ministrave të BeH-së dhe zyrtari i lartë i SNSD-së, Zoran Tegeltija. Marrëveshja u mbështet edhe nga Milorad Dodik dhe për këtë është e papërgjegjshme që ai të kundërshtojë bisedimet me qëllim të mirë në kuadër të Procesit të Berlinit.
Më tej, Beqiroviq nënvizoi faktin se Serbia, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë ratifikuar të gjitha marrëveshjet për liberalizimin e lëvizjes në rajon. “Fatkeqësisht qytetarët e Kosovës, për shkak të bllokadës së paarsyeshme nga entiteti i Republikës Srpska të BeH-së ende nuk kanë mundësinë e hyrjes së lirë në BeH, gjë që është shkelje e marrëveshjeve të nënshkruara të Procesit të Berlinit”, tha ai.
Ai rikujton se ish-kryesuesi i Presidencës së BeH-së, Milorad Dodik, i kishte dërguar ftesë zyrtare presidentit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, për të ardhur në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Sarajevë. “Ky ishte një hap i mirë i Dodikut dhe për këtë arsye ai nuk duhet të udhëheqë një politikë të diskontinuitetit”, tha Beqiroviq.
Beqiroviq falënderoi Kosovën për solidaritetin dhe mbështetjen e saj në promovimin e së vërtetës dhe drejtësisë për gjenocidin ndaj boshnjakëve. Më 7 korrik 2021, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën që dënon gjenocidin e kryer në Srebrenicë në korrik të vitit 1995. Rezoluta parashikon ndalimin e mohimit të gjenocidit dhe shënimin e 11 korrikut si Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe solidaritetin e Kosovës me Bosnjë e Hercegovinën pas përmbytjeve katastrofike që goditën vendin në fillim të tetorit të këtij viti. Qeveria e Kosovës i ka ofruar ndihmë financiare BeH-së për rikuperimin nga përmbytjet katastrofike.