Bjellorusia zbraz kampet e emigrantëve në kufirin polak

Bjellorusia ka bërë të ditur se ka zbrazur kampet e improvizuara në kufirin e saj me Poloninë dhe se ka zhvendosur emigrantët në një magazinë aty pranë të cilën qeveria e vendit e ka kthyer në qendër shqyrtimi për emigrantët, raporton Anadolu Agency (AA).

Pasditen e djeshme, emigrantët që synonin të emigrojnë në Evropë filluan të paketojnë gjërat e tyre në zonën pyjore dhe në kampet që kishin ngritur përgjatë kufirit në rajonin Grodno të Bjellorusisë.

Familjet e shumta me fëmijë, të cilët kryesisht janë nga Iraku, Siria, Afganistani, Irani dhe disa vende të tjera aziatike dhe afrikane, u larguan nga kampi.

Me largimin e disa emigrantëve të mbetur në mbrëmjen e djeshme, zona është zbrazur plotësisht.

Komiteti Shtetëror i Kufirit i Bjellorusisë njoftoi se pasi janë zbrazur të gjitha kampet, gazetarët nuk mund të punojnë në zonë, por mund të vazhdojnë punën e tyre në qendrën e shqyrtimit në rajonin kufitar Bruzgi, ku aktualisht janë vendosur emigrantët.

Me udhëzimin e presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko, për emigrantët u ndanë ndihma mjekësore, ujë dhe produkte higjienike.

Pasi kaluan dhjetë ditë në tenda në mot të ftohtë, grupet e emigrantëve pa mëdyshje u nisën drejt qendrës së shqyrtimit.

Autoritetet bjelloruse po planifikojnë të krijojnë një zonë të veçantë të mbyllur për grupet e emigrantëve që nuk mund të hyjnë në qendër. Ndihmësi presidencial për rajonin Grodno, Yury Karayev dhe ekipi i tij drejtuan personalisht aktivitetin e ndihmës në rajon.

Që nga muaji gusht, tre vendet e Bashkimit Evropian (BE) në kufi me Bjellorusinë, respektivisht Lituania, Letonia dhe Polonia, kanë raportuar një numër në rritje të kalimeve të parregullta.

Këtë vit mbi 8 mijë persona janë përpjekur të kalojnë në bllokun evropian përmes Bjellorusisë, ndërsa vitin e kaluar janë përpjekur vetëm 150 persona.

Sipas BE-së, Bjellorusia me sa duket kontakton me udhëtarët e mundshëm përmes kanaleve zyrtare, duke përfshirë misionet diplomatike dhe agjencitë e udhëtimit, si dhe i fton ata në Bjellorusi duke u ofruar viza. Më pas, siç supozohet, ata udhëzohen në kufirin e BE-së.

Gjatë javës së fundit, të paktën 2 mijë persona, përfshirë gra dhe fëmijë, kanë mbetur të bllokuar në kushte të rënda në zonën kufitare midis Bjellorusisë dhe Polonisë. /aa