Blinken: Administrata e presidentit Biden nuk i lidh shitjet e avionit F-16 në Turqi me aplikimin e Suedisë në NATO

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, ka deklaruar se pavarësisht kundërshtimit të disa anëtarëve të Kongresit Amerikan, administrata e presidentit Joe Biden nuk lidh shitjet e avionit F-16 në Turqi me pranimin e Suedisë në NATO, transmeton Anadolu.

“Derisa ne nuk i lidhim dy çështjet, kur them ne, dua të them administrata e presidentit Biden, disa anëtarë të Kongresit i lidhin, ata po e lidhin pranimin e Suedisë në NATO me lëvizjen përpara për (avionët) F-16”, tha Blinken në një konferencë për media në Lulea të Suedisë së bashku me kryeministrin suedez, Ulf Kristersson.

Bliinken i përcaktoi të dyja si “çështje që dallojnë” dhe theksoi se pranimi i Suedisë në NATO dhe shitja e avionëve F-16 në Turqi janë “jetike” për sigurinë evropiane.

“Ne besojmë se është e rëndësishme që Turqia të ketë F-16 me përmirësime, si një anëtare kritike e aleancës së NATO-s për t’u siguruar që ata po operojnë sipas standardeve më të larta të aleancës, se ato janë plotësisht të ndër-veprueshme me çdo aleat tjetër”, tha Blinken.

Ai theksoi se Turqia ka ngritur “shqetësime të rëndësishme dhe legjitime” në lidhje me aplikimet e dy vendeve nordike në NATO dhe se Suedia dhe Finlanda i kanë adresuar këto shqetësime.

“Nga këndvështrimi ynë, ne besojmë se të dyja duhet të ecin përpara sa më parë”, shtoi ai.

Në muajin tetor të vitit 2021, Turqia ka kërkuar nga SHBA-ja shitjen e 40 avionëve F-16 dhe mjeteve të modernizuara të tyre dhe po pret dritë jeshile nga Kongresi Amerikan.

Disa ligjvënës amerikanë kundërshtuan shitjen, duke e lidhur miratimin e saj me ratifikimin e anëtarësimit në NATO për Suedinë dhe Finlandën.

Kryeministri suedez: Çdo aleat i NATO-s duhet të marrë vendimin e tij

Kryeministri suedez njoftoi se ai diskutoi çështje të ndryshme me sekretarin e shtetit amerikan, sfidat dhe mundësitë në teknologji, si dhe luftën e Rusisë në Ukrainë.

Duke theksuar se konferenca për media po zhvillohet në Lulea në Suedinë veriore, Kristersson tha se kufiri rus është gjashtë orë e gjysmë me makinë nga ai vend.

“Mbushja e boshllëkut territorial në veri do të jetë një nga kontributet e shumta të sigurisë së Suedisë në NATO, kur ne të bashkohemi me aleancën”, tha ai.

Kristersson theksoi se Suedia aplikoi për anëtarësim në NATO pasi kuptoi se “duhet të mbrojmë lirinë dhe demokracinë së bashku” dhe nëse bëhet anëtare, vendi do të jetë një “ofrues i sigurisë” për të gjithë aleancën”.

Në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me bisedimet me Turqinë, kryeministri suedez tha se qeveria e tij është në kontakt të vazhdueshëm me Turqinë për aplikimin në NATO. Ai po ashtu theksoi se kishte edhe disa kontakte pas zgjedhjeve presidenciale të Turqisë të dielën.

Ai tha se Suedia është duke përmbushur angazhimet në përputhje me memorandumin e vitit të kaluar dhe se pjesa përfundimtare do të hyjë në fuqi më 1 qershor, me legjislacionin e ri për anti-terrorizmin.

“Ne e kemi pranuar gjithmonë faktin se çdo aleat i NATO-s duhet të marrë vendimin e tij dhe vetëm Turqia mund të marrë vendimet e Turqisë dhe ne e respektojmë plotësisht këtë. Kështu që, në thelb, kjo është ajo”, u shpreh Kristersson.

Edhe pse Turqia miratoi anëtarësimin e Finlandës në NATO, ajo pret që Suedia t’i përmbahet një memorandumi trepalësh të nënshkruar qershorin e kaluar në Madrid për të adresuar shqetësimet e sigurisë së Ankarasë.