Blinken pas takimit me Lavrov: Rusia duhet të tërheqë trupat nga kufiri me Ukrainën

Ky vlerësim i shefit të diplomacisë amerikane erdhi gjatë takimit ndërmjet tij dhe ministrit rus të Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, mbajtur në Gjenevë të Zvicrës, ku palët diskutuan krizën Rusi-Ukrainë.

“Takimi im me Lavrovin nuk ishte një negociatë, por një shkëmbim i sinqertë pikëpamjesh. Qëllimi ynë është të kuptojmë nëse Rusia është në favor të diplomacisë apo jo. Rusia ka dy rrugë përpara; ajo ose zgjedh rrugën diplomatike ose mund të zgjedhë konfliktin. I komunikuam Rusisë se çdo sulm i mundshëm në Ukrainë do të ketë menjëherë një kundërpërgjigje në Rusi. Nëse sulmet në Ukrainë rriten, çmimi do të jetë i rëndë. Hapat e ardhshme do të përcaktohen nga qëndrimi i Rusisë. Nëse Rusia sulmon, ne do të qëndrojmë pranë Ukrainës”, deklaroi Antony Blinken pas takimit me homologun rus në Gjenevë.

“Para së gjithash, nëse ndonjë forcë ushtarake ruse lëviz përtej kufijve të Ukrainës, ky do të ishte një pushtim. Ajo do të përballet me një përgjigje të shpejtë dhe të ashpër”, vijoi zyrtari i lartë amerikan.

Duke bërë me dije se do t’i raportojë Presidentit Joe Biden gjithçka është biseduar në këtë takim, sekretari Blinken tha se pas kontakteve me aleatët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkatësisht me homologët e tij në Ukrainë, Gjermani dhe Bashkimin Evropian, mesazhi i tyre i qartë ishte se ata janë të bashkuar në “kërkimin dhe gjetjen e një rruge përpara nëpërmjet diplomacisë e dialogut”.

Blinkeni theksoi gjithashtu se Rusia duhet të tërheqë trupat e saj nga kufiri me Ukrainën.

Ndërsa kryediplomati rus tha se kolegu amerikan u përpoq edhe një tjetër herë të nxjerrë në plan të parë çështjen e kufirit midis Rusisë dhe Ukrainës dhe të kushtëzojë gjithçka këtu me nevojën për një të ashtuquajtur shtendosje të situatës.

“Kjo është shndërruar në një magji. Megjithatë ne e përfunduam takimin me një marrëveshje për të dhënë përgjigjet me shkrim në lidhje me propozimet tona javën e ardhshme”, u shpreh ai.

I pyetur nga gazetarët nëse Rusia do ta sulmojë Ukrainën, ministri Lavrov u përgjigj me këto fjalë: “Ju pretendoni se ne synojmë të sulmojmë Ukrainën. Ne e kemi thënë vazhdimisht se nuk është kështu.”

Sipas tij, Rusia kurrë nuk e ka kërcënuar zyrtarisht popullin ukrainas.

“Histeria aktuale e kolegëve tanë perëndimorë, edhe nëse nuk synon të provokojë dhe nxisë përdorimin e forcës nga Ukraina në Pellgun e Donjeckut (Donbas), është të paktën një tentativë për të fshehur vijën e regjimit të Kievit për të sabotuar marrëveshjet e Minskut”, vlerësoi Sergey Lavrovi.

Ai po ashtu u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të influencojnë dhe inkurajojnë Ukrainën për të zbatuar marrëveshjet e Minskut. /trt