BM – Ministri i Jashtëm: Kievi ka të drejtë të sulmojë territorin rus për vetëmbrojtje

Ministri i Jashtëm britanik, James Cleverly tha se Ukraina ka të drejtë të sulmojë objektivat në territorin rus për qëllime vetëmbrojtjeje.

“Ukraina ka të drejtën legjitime për të mbrojtur veten. Ajo ka të drejtën legjitime për ta bërë këtë brenda kufijve të saj”, tha Cleverly, nga Partia Konservatore në pushtet, gjatë një konference për shtyp me homologun e tij estonez, Margus Tsahkna në kryeqytetin e Estonisë, Talin.

“Pra, objektivat legjitime ushtarake përtej kufirit të saj janë pjesë e vetëmbrojtjes së Ukrainës. Dhe ne duhet ta pranojmë këtë”, tha ai.

Moska njoftoi më herët të martën se autoritetet kishin rrëzuar me mjete elektronike tre dronë luftarake dhe goditur pesë të tjerë.

Sipas burimeve ruse, dronët shkaktuan dëme të vogla në disa banesa, ndërsa dy persona ishin plagosur.

Mbetet e paqartë se nga erdhën dronët, por Kremlini ka fajësuar Kievin për sulmin.

Qeveria ukrainase i ka mohuar akuzat e Moskës.