Bombardimet në Siri, tre fëmijë nxirren mrekullisht nga rrënojat (Video)

Forcat e shpëtimit të Helmetave të Bardha, një organizatë jo-qeveritare, u angazhuan në Bzabor, në provincën Idlib të Sirisë, dhe nxorën tre fëmijë nga rrënojat e shkaktuara prej një bombardimi.

Sipas njoftimeve nga Agjencia e Mbrojtjes Civile në Siri, gjashtë civilë kanë humbur jetën dhe 10 të tjerë janë lënduar nga sulmet e kryera prej regjimit të Asadit dhe Rusisë në Idlib.

Ndërsa Zëri i Amerikës njofton se bombardimet e ardhura nga zona e kontrolluar nga Turqia, në Tal Rifaat të Alepos, kanë lënë 10 civilë të vrarë dhe 21 të plagosur.

Ndërkohë, në Idlib, bombardimet e Asadit me ndihmën e Rusisë aleate kanë vazhduar gjatë muajit nëntor, duke detyruar rreth 40 mijë banorë të largohen nga shtëpitë.

Në shtator të vitit 2018, Rusia dhe Turqia ranë dakord që Idlib të kthehej në një zonë ku të ndaloheshin aktet e agresionit, por regjimi i Asadit dhe aleati i tij, Rusia, e kanë shkeluar disa herë, sipas agjencive të lajmeve turke.