Bota përballë një krize të rëndë energjitike në prag të dimrit

Rimëkëmbja spektakolare ekonomike, rreziqet klimatike, infrastruktura në vend numëro… pak para fillimit të dimrit, bota është zhytur në një krizë energjetike që ka ngritur shqetësime të mëdha nga Londra deri në Pekin.

Çmimet e gazit po arrijnë kulme

Tensioni midis bumit të kërkesës për gaz dhe furnizimit të kufizuar po bën që çmimet të rriten, pas viteve të tëra rënie.

Kërkesa për gaz u mbështet gjatë 2021 nga rimëkëmbja postCovid, pas një dimri të gjatë dhe të ftohtë në Azi dhe Amerikën e Veriut, e ndjekur nga një valë të nxehti në Azi dhe thatësira në Brazil.

Kina, Japonia, Koreja ishin konsumatorët më të mëdhenj.

Oferta u ndikua nga vështirësitë e mirëmbajtjes në instalimet e gazit të lëngshëm (LNG).

Në Evropë, rezervat e gazit janë shteruar pjesërisht, ndërsa energjia e erës ka qenë më pak e disponueshme javët e fundit për arsye klimatike.

Kurse, në SHBA, hidrocentralet janë përpjekur të kompensojnë mungesën e shirave.

Kjo rritje e çmimeve të gazit po sjell përfitime edhe për naftën, që është kthyer në nivelet e saj të vitit 2014.

Energjia elektrike nën tension, ripërtëritje e përdorimit të qymyrit

Në Kinë, ndërprerjet e energjisë kanë mbyllur fabrikat, duke bërë që Pekini të rrisë prodhimin nga dhjetëra miniera qymyri për të fuqizuar termocentralet e tij.

India, që importon qymyr nga Afrika e Jugut ose Indonezia dhe merr 70 për qind të energjisë elektrike nga ato, gjithashtu ka frikë nga ndërprerjet e energjisë, veçanërisht pasi musoni ka përmbytur minierat e saj.

Edhe në disa vende evropiane, rritja e çmimeve të gazit ka bërë që furnizuesit e energjisë elektrike t’i kthehen qymyrit.

“Një prirje që do të ishte edhe më e theksuar pa rritjen e çmimit të lejimeve të emetimit të karbonit në tregun evropian”, vëren Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA).

Pasoja shoqërore dhe industriale

Kjo rritje e çmimeve të karburanteve fosile ka para së gjithash një ndikim social.

Çmimet e energjisë elektrike, që pjesërisht rezultojnë nga kjo, kanë arritur një rekord të lartë, që nuk është vënë re prej 10 vjetësh në Evropë, shpesh mbi 100 euro për megavat orë (MËh), sipas IEA-së.

Në Gjermani dhe Spanjë, ato janë trefishuar apo edhe katërfishuar, në krahasim me 2019 dhe 2020.

Britanikët, të varur nga gazi, pritet t’i shohin faturat e tyre të energjisë elektrike të rriten me 30 për qind deri në vitin e ardhshëm, sipas firmës Cornëall Insight.

Pasojat janë gjithashtu ekonomike dhe industriale.

Në BM, në Francë… kompanitë me energji intensive janë të alarmuara.

Çmimet në rritje janë madje shqetësuese për furnizimin me pleh, duke rritur çmimin e drithërave.

Si do të kalohet dimri?

A do të ketë gaz të mjaftueshëm për të përmbushur kërkesën këtë dimër?

Për Massimo Di-Odoardo, zëvendëspresident i firmës konsulente Ëood Mackenzie, “faktori kryesor do të jetë moti, jo vetëm në Evropë, por edhe në Azi dhe në Rusi”.

“Në kushte normale të dimrit në hemisferën veriore, Evropa nuk do të ketë asnjë problem: rezervat do të arrijnë 78 për qind të kapacitetit të tyre deri në fund të tetorit, një rekord i ulët dhe importet e LNG-së do të kufizohen nga kërkesa aziatike, por një rritje e prodhimit britanik dhe norvegjez, si edhe i eksporteve nga Algjeria dhe Azerbajxhani, pritet të rrisin furnizimin, në krahasim me këtë verë”, tha ai.

Dimri evropian do të varet gjithashtu nga vëllimi i furnizimit rus, vlerëson IEA.

Pas dimrit …

Për ekspertët, kjo krizë është pjesërisht ciklike, por vjen në “momentin kyç” të tranzicionit të energjisë.

Sipas IEA, situata aktuale u kujton qeverive rëndësinë e energjisë së sigurt dhe të përballueshme, veçanërisht për më të rrezikuarit dhe kalimet e menaxhuara mirë në energjinë e pastër janë një zgjidhje. /atsh