Britani, nga e hëna ushtarët do të fillojnë të shpërndajnë karburant në vend

Personeli i forcave të armatosura në Britani të Madhe, që nga e hëna do të fillojë të transportojë derivate në pikat e karburanteve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga qeveria britanike thuhet se rreth 200 ushtarë, 100 prej të cilëve shoferë do të sigurojnë mbështetje “të përkohshme” për të lehtësuar presionin mbi pikat e karburanteve.

Ushtarët prej një jave kanë mësuar se si të mbushin cisternat dhe pikat e karburanteve dhe në mëngjesin e së hënës do të kryejnë dorëzimet e para.

Gjithashtu edhe rreth 300 shoferë të huaj të tankerëve të karburantit do të fillojnë detyrën në një kohë të afërt për të punuar në Britani deri në fund të muajit mars.

Në një hulumtim të kryer në Britani bëhet e ditur se në të paktën 26 për qind të pikave të karburantit nuk ka as benzinë, as naftë.

Kriza në vend filloi një javë më parë pasi BP dhe Tesco Alliance deklaruan se furnizimi është ndërprerë për shkak të mungesës së shoferëve për mjetet e rënda në mbarë vendin.

Pas deklaratës përpara pikave të karburanteve u formuan radhë të gjata ndërsa në disa pika mbaroi karburanti. /aa