Ballina Lajmet Rajon dhe Botë “Britania do t’i japë fund Protokollit të Irlandës së Veriut nëse nuk...

“Britania do t’i japë fund Protokollit të Irlandës së Veriut nëse nuk arrihet marrëveshje me BE-në”

Liz Truss

Britania do të tërhiqet nga Protokolli i Irlandës së Veriut nëse nuk arrihet një “zgjidhje e negociuar” me BE-në, tha sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një shkrim për “The Telegraph” të shtunën, Liz Truss, njëherësh kryenegociatore për Brexit-in, tha se ajo do të aktivizojë “klauzolën mbrojtëse” të Nenit 16 në protokoll, i cili u nënshkrua midis Britanisë dhe BE-së, për të shmangur një kufi tokësor midis Irlandës së Veriut dhe Irlandës.

“Irlanda e Veriut nuk është në Tregun Unik dhe nuk duhet trajtuar sikur të ishte”, shkroi Truss.

“Ne po propozojmë një zgjidhje me sens të përbashkët – mallrat që shkojnë në BE duhet të kalojnë formalitetet doganore dhe ato që qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar jo”, shtoi ajo.

Truss tha se prioriteti i saj është “të mbrojë paqen dhe stabilitetin në Irlandën e Veriut”.

“Unë dua një zgjidhje të negociuar, por nëse duhet të përdorim dispozita legjitime duke përfshirë Nenin 16, unë jam e gatshme ta bëj këtë”, tha Truss.

Komentet e kryediplomates britanike erdhën në kohën kur pritet të jetë nikoqire e Maros Sefcovic-it, negociatorit të bllokut, në Chevening, Kent, të enjten e ardhshme për diskutime të mëtejshme mbi problemet e shkaktuara nga protokolli.

Sefcovic tashmë ka paralajmëruar për “pasoja të rënda” nëse Britania do të aktivizojë Nenin 16.

Protokolli i Irlandës së Veriut kërkon kontrolle kufitare për çdo produkt me bazë shtazore dhe bimore, duke përfshirë mishin e ngrirë dhe produktet e mishit të përpunuar, përpara transportit të tyre në Irlandën e Veriut, vend që ka mbetur i lidhur me rregulloret e BE-së.

Protokolli krijon një kufi tregtar de facto në Detin Irlandez midis Irlandës së Veriut dhe pjesës tjetër të Mbretërisë së Bashkuar.

Mbretëria e Bashkuar u largua nga blloku më 31 janar 2020, si rezultat i një referendumi të vitit 2016 që i dha fund anëtarësimit më shumë se 40-vjeçar të vendit në klubin evropian.

Marrëveshja e nënshkruar nga palët përfshinte Protokollin e Irlandës së Veriut, i cili praktikisht shmang një kufi të fortë midis Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës.

Irlanda e Veriut u përball me protesta sporadike në rrugë nga grupe besnike që refuzojnë protokollin dhe çdo kontroll mbi mallrat që vijnë nga pjesë të tjera Britanisë vitin e kaluar. /aa

Exit mobile version