Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Bullgari, hiqet dorë nga skema e “pasaportave të arta”

Bullgari, hiqet dorë nga skema e “pasaportave të arta”

Qeveria e re e Bullgarisë mori masa për të shfuqizuar një skemë shumë të kritikuar të “pasaportave të arta”, e cila ofronte shtetësinë bullgare, si shpërblim për kryerjen e investimeve të mëdha në vend.

Kjo praktikë, e vendosur që nga viti 2013, ka bërë të mundur që të huajt të aplikojnë për një leje qëndrimi dhe më pas për një pasaportë, nëse investojnë një minimum prej 500,000 eurosh (568,000 dollarë) në Bullgari.

Kjo skemë, e cila ekziston edhe në Qipro dhe Maltë, është kritikuar vazhdimisht nga Komisioni Europian, i cili u ka kërkuar vendeve ta shfuqizojnë atë, sepse u hapte rrugën veprimtarive si korrupsioni dhe pastrimi i parave.

Kabineti i ri i kryeministrit Kiril Petkov, mori detyrën më 13 dhjetor, duke u zotuar për “zero tolerancë ndaj korrupsionit” në vendin më të varfër dhe më të korruptuar të BE-së. Qeveria miratoi një propozim nga Ministria e Drejtësisë “për të shfuqizuar marrjen e shtetësisë bullgare nga të huajt në këmbim të investimit”, njoftoi shërbimi i shtypit i qeverisë.

Administrata e mëparshme e kishte njoftuar agjencinë shtetërore për sigurinë kombëtare në lidhje me disa parregullsi të mundshme me 47 “pasaporta të arta”, të cilat kanë nisur të jepen që nga viti 2013. Ndërkohë që kontrollet po vazhdojnë, agjencia ka zbuluar pesë raste ku janë dhënë pasaporta për investime të dyshimta.

“Nevoja për të hequr mundësinë e marrjes së shtetësisë bullgare nëpërmjet investimeve, kushtëzohet nga mungesa e investimeve reale në ekonominë bullgare, pasi nuk krijohen vende pune”, tha administrata. Ndryshimet e propozuara nga qeveria në aktin e shtetësisë, tani do të kenë nevojë për miratimin parlamentar për të hyrë në fuqi. /monitor

Exit mobile version