Bullgaria miraton planin 1.1 mld dollarë për të ulur çmimet e energjisë dhe për të ndihmuar familjet

Bullgaria shpalosi një paketë masash me synimin për të mbrojtur kompanitë dhe konsumatorët me të ardhura të ulëta nga rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, të shkaktuara nga konflikti në Ukrainë, tha kryeministri Kiril Petkov.

Paketa, që u miratua nga koalicioni centrist në pushtet, do të ofrojë një shumë prej 2 miliardë lev (1.08 miliardë dollarë), duke filluar nga ulja e taksave për bukën dhe ngrohjen dhe një ulje për karburantet motorike, deri te rritja e pensioneve shtetërore dhe përfitimet tatimore për familjet e reja.

Ky shpenzim i ri vjen pas masave të tjera, që mbajtën të pandryshuara çmimet e energjisë elektrike për familjet, që nga korriku i kaluar dhe kompensimet për bizneset për kostot e larta të energjisë.

“Masat janë një mundësi për të ndihmuar më të cenuarit, të cilët rrezikohen më shumë nga ndikimi i inflacionit… dhe kanë një fokus të veçantë te karburantet dhe energjia”, tha Petkov për gazetarët. “Paketa garanton që të ruhet standardi i jetesës për të gjithë bullgarët”, u shpreh ai.

Sipas planit, vendi anëtar më i varfër i Bashkimit Europian, do të rrisë pensionet shtetërore, me një mesatare prej rreth 20%, do të rrisë përfitimet tatimore për prindërit e rinj, do të heqë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për bukën dhe do të ulë në 9% taksën për ngrohjen dhe gazin natyror për familjet, gjatë një viti, duke filluar nga korriku.

Qeveria do të ofrojë edhe një ulje prej 0.25 lev për litër për benzinën, naftën dhe gazin e lëngshëm nga korriku deri në fund të vitit dhe do të heqë akcizën për gazin natyror, energjinë elektrike dhe metanin.

Kompanitë e transportit kanë kërkuar masa urgjente për kostot e larta të karburantit. Inflacioni arriti në nivelin 14.4% në prill, më i larti që nga viti 2008. Bullgaria ka përjetuar mungesa të gazit natyror, i cili u ndërpre nga Rusia në fund të prillit, për shkak se Bullgaria nuk pranoi të paguante në rubla. Si pasojë, vendi ka nxituar ta zëvendësojë atë me gaz natyror të lëngshëm nga SHBA-ja dhe ka rritur importet nga Azerbajxhani.

Qeveria ka argumentuar se çmimet e gazit natyror do të jenë më të lira se ato të kompanisë ruse Gazprom dhe ka kërkuar një ndalim të blerjes së naftës ruse nga Bashkimi Europian. Paketa stimuluese nuk pritet të rrisë objektivin e deficitit buxhetor prej 4% të prodhimit ekonomik këtë vit dhe do të financohet nga rritja e të ardhurave tatimore, thonë zyrtarët.

Paketa do të financohet pjesërisht, duke taksuar fitimet “ekstra” të firmave të energjisë, për shkak të rritjes së çmimeve të naftës dhe gazit. Llogaritjet e sakta do të përcaktohen në një rishikim të buxhetit të shtetit në korrik, tha ministri i Financave, Assen Vasilev. ($1 = 1,8602 lev) /monitor