Ballina Artikuj Burri që njohu Zotin

Burri që njohu Zotin

Një burrë, vuante nga një sëmundje shumë e vështirë dhe e pështirë në të njëjtën kohë, të cilës nuk i kishte gjetur ilaç gjer atëherë. Sa herë që gjendej mes njerëzve, i thoshin:”Ty të vjen një erë e qelbur! A nuk lahesh kurrë?!”

Ai nuk kishte lënë doktor dhe mjek pa u vizituar. Ishte vizituar tek doktori i gojës, i hundës, i fytit, i dhëmbëve, i stomakut, i mëlçisë etj… por përgjigja ishte e njëjtë: Ju nuk vuani nga asnjë sëmundje fizike, e cila mund të shkaktojë erën e keqe.”

Ndonjëherë, lahej dy herë në ditë, me qëllim që të heqë erën e keqe të trupit, parfumohej me parfumet më të shtrenjta por as kjo nuk i kishte sjellë fajde. Kishte frikë të kontaktojë me dy njerëz, sepse e shihnin si një ngordhësirë që qelbej erë. Të gjithë i largoheshin dhe distancoheshin prej tij.

Një ditë, shkoi ti ankohej një njeriu të mirë për hallin që i kishte rënë mbi kokë. Ai i rrëfeu gjithçka, i shqetësuar dhe i pezmatuar që nuk po gjente dot zgjidhje. Pasi e dëgjoi, burri i mirë dhe i mençur i thotë:”Kjo nuk është era e trupit tënd, por është era e veprave të tua.”

I befasuar nga kjo përgjigje, burri i sëmurë pyeti:”Pse, edhe veprat paskan erë?!”
Njeriu i mirë i tha:”Ky është një ndër ato sekrete që rrallëherë e zbulon Zoti. Mesa duket, ty të paska dashur Zoti, pasi kështu ta ka lehtësuar rrugën e pendimit.”

Burri i sëmurë ndërhyri dhe tha:”Është e vërtetë kjo që thua. Unë jetoj me ato që arrij të vjedh nga njerëzit. Unë merrem me dallavere, përdor kamatën, kryej marrëdhënie jashtë martesore, dehem dhe bëj ligësi të tjera…”

Njeriu i mirë iu përgjigj:”A je i bindur tani që era që të vjen, është e gjynaheve të tua?”
I sëmuri e pyeti:”Po, por cila është zgjidhja?”
Njeriu i mirë iu përgjigj:”Tashmë është e qartë, të bësh punë të mira dhe të pendohesh sinqerisht për gjithçka ke vepruar.”

Dhe ashtu ndodhi. Burri në fjalë u pendua për gjynahet që kishte vepruar gjer atëherë dhe u distancua nga çdo e ligë. Megjithatë, era e keqe nuk po i ndahej. I dëshpëruar dhe me lot në sy, vajti tek njeriu i mirë duke i qarë hallin.

Njeriu i mirë, i tha:”Ti i ke rregulluar punët e tanishme. Sakaq, ato vepra të liga që ke vepruar më parë, të kanë mbetur.”
I sëmuri pyeti:”E si mund të shpëtoj prej tyre?”
Njeriu i mirë iu përgjigj:”Duhet të ti falë Zoti.”

I sëmuri pyeti sërish:”E çfarë duhet të bëj që të mi falë Zoti?”
Njeriu i mirë i tha:”Veprat e mira i fshijnë veprat e liga. Prandaj, jep lëmoshë nga pasuria jote dhe dije se një haxh i pranuar, e kthen njeriun në shtëpi si ditën që ka lindur, pa asnjë gjynah. Shko dhe kryej haxhin, përulu para Zotit në sexhde dhe qaj me dënesë për gjynahet e tua.”

Burri e dha lëmoshë të gjithë pasurinë e tij dhe mandej u nis për në Haxh. Atje ai falte namaz tek çdo qoshe e Qabes dhe qante me dënesë, sipas porosisë. Megjithatë, sëmundja mbeti po ajo, era e keqe nuk i ndahej, saqë edhe qentë e derrat në stallë i shmangeshin nga era e keqe. I dëshpëruar në maksimum, ai vajti tek një varrezë e vjetër për të banuar aty, derisa Zoti t’i japë zgjidhje hallit që e kishte zënë.

Akoma pa i mbyllur sytë mirë, sheh në ëndërr kufomat e varrezave duke mbledhur qefinët për tu larguar të lemerisur nga ai vend. Ai hapi sytë dhe pa që të gjithë kufomat ishin larguar nga varreza. Të gjithë varret ishin të zbrazët. Menjëherë ra në sexhde dhe vazhdoi duke qartë derisa lindi dielli. Pranë tij kaloi burri i mirë, i cili i tha:”E qara jote është e pavlerë, përderisa zemra është e mbushur me kundërshti. Ti nuk po qan sepse akuzon veten, por akuzon drejtësinë hyjnore e cila sipas teje qenka sjellë padrejtësisht me ty.

Burri i sëmurë tha:”Nuk po të kuptoj.”
Njeriu i mirë e pyeti:”A beson se Zoti është treguar i drejtë me ty?”
Burri i sëmurë u përgjigj:”Nuk di ç’të them.”
Njeriu i mirë tha:”Pikërisht… Drejtësia e Zotit shihet me skepticizëm prej teje. Prandaj i ke përzierë gjërat duke e konsideruar Zotin fajtor dhe veten tënde të pafajshëm. Kështu, gjatë gjithë këtyre ditëve, gjynaheve të mëparshme u ke shtuar dhe gjynahe të tjera.”

Burri i sëmurë ndërhyri dhe tha:”Por unë ndjej se më është bërë padrejtësi.”
Njeriu i mirë:”Nëse do mund ta shihje botën e fshehtë (gajb) do të konstatoje se meriton ndëshkim më të rëndë dhe do të kuptoje se Zoti që të ka sprovuar, është treguar zemërbutë me ty dhe ta ka lehtësuar ndëshkimin. Megjithatë, ti e ke kundërshtuar këtë zemërbutësi dhe e ke akuzuar Zotin për padrejtësi. Prandaj, kërko falje, përpiqu ta pastrosh zemrën dhe bëhu mysliman siç duhet. Deri tani, me gjithë Haxhin, agjërimin, namazin dhe pendimin, nuk i je mysliman në kuptimin e plotë të fjalës.”

I sëmuri:”Si?! Nuk qenkam mysliman?!”
Njeriu i mirë:”Po, nuk je mysliman. Të jesh mysliman, do të thotë që ti dorëzohesh Zotit me zemër, para se ti dorëzohesh me gjymtyrët e trupit. Të jesh mysliman me zemër, do të thotë të mos e kundërshtosh Zotin në caktimin e tij, të mos ndërhysh në çështjet e kaderit, ta shohësh privimin dhe begatinë me të njëjtin sy, ta konstatosh urtësinë e Zotit në të privuar, ashtu siç e konstaton në begatitë e Tij, të mos mashtrohesh nga mirësitë e Zotit dhe të mos i kundërshtosh sprovat e Tij. Drejtësia e Zotit nuk vonon. Në çdo gjendje dhe situatë Ai është i drejtë, ashtu siç mëshira e Tij përfshin gjithçka që ka caktuar dhe vendosur. Prandaj, thuaj me zemër se nuk ka zot tjetër përveç Allahut (la ilahe il-lallah) dhe ndiq rrugën e drejtë. Ky është Islami i vërtetë.”

I sëmuri tha:”La ilahe il-lallah unë them çdo orë e çast.”
Burri i mirë:”Po, por e thua me gjuhë dhe nuk e thua me zemër dhe me vepra.”
I sëmuri:”Si?!”
Njeriu i mirë:”Ti i kërkon llogari Zotit çdo ditë, duke i thënë:”Unë të kam kërkuar falje dhe nuk më ke falur, të kam rënë në sexhde dhe nuk më ke mëshiruar, kam qarë për Ty dhe nuk të ka ardhur keq për mua, jam falur, kam agjëruar, kam kryer Haxhin dhe nuk më ke falur. Ku është drejtësia Jote?!”

Mandej, njeriu i mirë i rrahu shpatullat dhe i tha:”O vëlla i nderuar! Nuk është kësisoj teuhidi (monoteizmi). Teuhidi është kur vullneti i Zotit të jetë pikërisht ajo që ta kërkon zemra, veprat që i pëlqejnë Atij të jenë ato që ti ka qejfi, sikur dora jote të jetë dora e Tij, gjuha jote gjuha e Tij… Teuhid do të thotë që ti thuash “po” gjithmonë, të zbatosh urdhrat e Ti në çdo situatë siç veprojnë melekët e vendosur, të cilët kurrë nuk pyesin “përse”. Kjo, sepse Ai është Zoti, pas të cilit nuk ekziston zot tjetër. Nuk mund të ketë më të drejtë dhe më të mëshirshëm sesa Ai. Ai është gjithçka, kurse ti nuk je asgjë. E si mund ti kërkojë llogari hiçi gjithçkasë?! Hiçi furnizohet nga gjithçkaja, duke iu nënshtruar, duke iu përulur, duke e falënderuar dhe lavdëruar.”

Atëherë, i sëmuri shpërtheu në të qara me ngashërime, pasi e kuptoi se nuk kishte jetuar dhe nuk e kishte adhuruar kurrë Zotin siç duhej.

Njeriu i mirë i tha:”Tashmë e kuptove, prandaj mos iu ndaj kësaj rruge! Thuaj:”La ilahe il-lallah dhe përmbaju rrugës së drejtë! Thuaje një herë të vetme, por nga brendësia e zemrës tënde!”
I sëmuri tha:”La ilahe il-lallah.”

Në çast, shpërtheu era e jaseminës dhe parfumit, duke mbushur hapësirën përreth, sikur të ishte një nga lulishtet e xhenetit e zbritur në tokë. Të gjithë njerëzit që kalonin pranë silleshin rrotull, në kërkim të burimit të asaj arome të këndshme e cila të bënte për vete. Ata pyesnin tërë habi:”Kush është ky person të cilit i vjen kjo aromë? Mos është ndonjë engjëll që ka zbritur nga qielli?!”

Kurse njeriu i mirë u përgjigjej:”Në fakt, është një njeri që njohu Zotin e tij

Nga: Elmaz Fida

Exit mobile version