Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Carney kundërshton riemërtimin nga Trump në “Liqeni Amerika”, thotë se kanadezët do...

Carney kundërshton riemërtimin nga Trump në “Liqeni Amerika”, thotë se kanadezët do ta quajnë Liqeni Ontario

Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, ka kundërshtuar vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për ta riemërtuar Liqenin Ontario si “Liqeni Amerika”, duke theksuar se kanadezët do të vazhdojnë të përdorin emrin e tij të kahershëm, transmeton Anadolu.

“Emri Liqeni Ontario vjen nga fjala Ontari’io e gjuhës Wendat, e cila në mënyrë shumë të përshtatshme do të thotë ‘liqeni është i bukur, liqeni është i madh’ ”, shkroi Carney në rrjetin social amerikan X.

Ai theksoi se emri është më shumë se 400-vjeçar dhe i paraprin si Konfederatës së Kanadasë, ashtu edhe Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së.

“Ne e dimë se Amerika po ndryshon. Marrëdhëniet e saj tregtare, politikat e saj të jashtme, monumentet e saj kombëtare, hidronimet e saj. Kanadezët gjithashtu e dinë se ta emërtosh realitetin do të thotë ta quash Liqeni Ontario, atëherë, tani dhe gjithmonë”, tha ai.

Deklaratat e tij erdhën pasi Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për riemërtimin e Liqenit Ontario në “Liqeni Amerika”, mes tensioneve tregtare me Kanadanë, duke deklaruar se ndryshimi do të hynte në fuqi menjëherë.

“Do ta ndryshojmë emrin e Liqenit Ontario, me efekt të menjëhershëm, në ‘Liqeni i Amerikës’ ”, tha Trump në Zyrën Ovale përpara se të nënshkruante urdhrin ekzekutiv.

Marrëdhëniet u përkeqësuan pas dështimit të negociatave tregtare dhe vendosjes nga Washingtoni të tarifave të reja ndaj mallrave kanadeze, ndaj të cilave Otava u kundërpërgjigj menjëherë.