Çavusoglu: “Një agjendë pozitive mund të ndihmojë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Izraelin”

Ministri i Jashtëm Mevlut Çavusoglu tha se puna për një agjendë pozitive (me Izraelin) mund të ndihmojë në adresimin e mosmarrëveshjeve në mënyrë më konstruktive.

Mevlut Çavusoglu foli në një konferencë të përbashkët për shtyp pas një takimi kokë më kokë dhe mes delegacioneve me homologun e tij Yair Lapid në Jerusalemin Perëndimor në Izrael, ku ndodhej për kontakte.

Duke theksuar se do të ishte e dobishme të vazhdonte dialogun e qëndrueshëm pavarësisht dallimeve(me Izraelin), Çavusoglu tha: “Kjo duhet të bazohet në respektin e ndërsjellë për ndjeshmëritë e njëri-tjetrit. Kjo do të jetë e dobishme jo vetëm për marrëdhëniet tona dypalëshe, por edhe për paqen në rajonin tonë.”

Çavusoglu tha se gjatë takimit me homologun e tij izraelit, ai ka shkëmbyer mendime edhe për çështjet rajonale.

“Puna në një agjendë pozitive mund të na ndihmojë t’i trajtojmë mosmarrëveshjet tona në mënyrë më konstruktive. Në të vërtetë, dialogu që kemi vendosur në nivel të krerëve të shteteve Ramazanin e kaluar ka kontribuar gjithashtu në përpjekjet për të ruajtur qetësinë”, tha ai.

Shefi i diplomacisë turke gjithashtu shtoi se ata ranë dakord me Izraelin për të rivendosur takimet teknike midis ministrive dhe institucioneve përkatëse publike.

“Ne ramë dakord t’i japim energji të re marrëdhënieve tona në shumë fusha, të vendosim mekanizma të ndryshëm që tani dhe të rifillojmë negociatat për aviacionin civil”, tha ai.

Ministri i Punëve të Jashtme, theksoi se afërsia gjeografike dhe ekonomitë plotësuese e bëjnë Turqinë dhe Izraelin partnerë tregtarë natyrorë.

“Turqia dhe Izraeli janë ndër 10 vendet që bëjnë më së shumti tregti reciproke. Pavarësisht vështirësive të tilla si epidemia e llojit të ri të koronavirusit (Covid-19) që po përjetojmë, pavarësisht dallimeve në të kaluarën tonë, vëllimi ynë tregtar ka vazhduar të rritet vazhdimisht”, deklaroi ministri Çavusoglu.

Ndërkaq ministri i Jashtëm izraelit nga ana e tij tha se: “Pas takimit me ministrin Çavusoglu, ne ramë dakord të rifillojmë nismën e komisionit ekonomik të përbashkët (Turqi-Izrael)”.

Nga ana tjetër ministri Çavusoglu pati një takim edhe me ministrin e Turizmit të Izraelit Yoel Razvozov dhe ministrin e Bashkëpunimit Rajonal Esawi Frej.

Në një postim të bërë në llogarinë e tij në median sociale në lidhje me takimin ministri Çavusoglu njoftoi se me ministrat në fjalë janë takuar gjatë një dreke të punës. /trt