Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Çavuşoğlu: Suedia nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për të përmbushur premtimet...

Çavuşoğlu: Suedia nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për të përmbushur premtimet për në NATO

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se Suedia nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për të zbatuar atë që është dakordësuar në memorandumin trepalësh për synimin e saj për anëtarësim në NATO, raporton Anadolu.

“Pavarësisht vullnetit politik që qeveria e re suedeze ka shprehur gjatë takimeve tona, ne nuk kemi parë ndonjë hap konkret”, tha Çavuşoğlu në një konferencë për media me homologun e tij estonez, Urmas Reinsalu, në kryeqytetin e Estonisë, Talin.

Duke përsëritur përkushtimin e Ankarasë për zgjerimin e NATO-s, Çavuşoğlu tha: “Si aleatë dhe miq, ne duhet të kuptojmë shqetësimet legjitime të sigurisë së njëri-tjetrit, jo vetëm shqetësimet e njërës palë”.

Terrorizmi është një nga kërcënimet kryesore të përmendura në dokumentet e NATO-s, tha ai, duke shtuar se Ankaraja pret që aleatët të adresojnë shqetësimet e saj në këtë drejtim.

Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht për t’u anëtarësuar në NATO majin e kaluar, një vendim i nxitur nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.

Sipas një memorandumi të nënshkruar qershorin e kaluar midis Turqisë, Suedisë dhe Finlandës, të dy vendet nordike u zotuan të ndërmarrin hapa kundër terroristëve për të fituar anëtarësimin në aleancën e NATO-s.

Sipas marrëveshjes, Suedia dhe Finlanda mes tjerash ranë dakord të mos ofrojnë mbështetje për grupet terroriste si PKK dhe degët e saj, Organizatën Terroriste FETO, si dhe të ekstradojnë të dyshuarit për terrorizëm në Turqi.

Çavuşoğlu theksoi se mbështetësit e PKK/YPG-së mbeten të lirë të kryejnë propagandë në Finlandë, ndërsa në Suedi po angazhohen në financim dhe rekrutim.

“Nuk ka rëndësi se kush qëndron pas këtyre veprimeve. Është përgjegjësi e Suedisë që të parandalojë këto veprime”, tha ai.

Kryediplomati turk tha se këto veprime dhe sulmet e fundit ndaj Kuranit kanë për qëllim të prishin procesin e anëtarësimit të Suedisë në NATO.

Ai u shpreh se mbështetësit e PKK/YPG-së dhe FETO-s e dinë se “do të ketë më shumë presion mbi ta nëse Finlanda, dhe veçanërisht Suedia, janë pjesë e NATO-s”.

“Ka disa parti politike dhe politikanë në të dy vendet që janë kundër anëtarësimit të tyre në NATO”, shtoi Çavuşoğlu.

Rasmus Paludan, një politikan ekstremist danezo- suedez, dogji një kopje të Kuranit para Ambasadës së Turqisë në Stockholm më 21 janar. Për këtë veprim, ai mori leje nga autoritetet suedeze dhe ishte nën mbrojtjen e policisë.

Javën e ardhshme, ai dogji një kopje të Librit të Shenjtë të Islamit përpara një xhamie në Danimarkë dhe tha se do ta përsëriste aktin çdo të premte derisa Suedia të anëtarësohet në NATO.

– Marrëdhëniet dypalëshe me Estoninë

Në takimin e tyre, Çavuşoğlu dhe Reinsalu diskutuan bashkëpunimin në ekonomi, arsim, turizmin, industrinë e mbrojtjes dhe luftën kundër terrorizmit.

Çavuşoğlu tha se shkëmbimi tregtar midis Turqisë dhe Estonisë u rrit për 15 për qind vitin e kaluar dhe tejkaloi 400 milionë dollarë.

“Kemi vendosur të arrijmë një objektiv të ri, ndoshta 1 miliard dollarë. Jam i sigurt se do të jemi në gjendje ta arrijmë këtë objektiv brenda disa vitesh, sepse ka potencial masiv”, tha ai.

Çavuşoğlu shtoi se ka mundësi premtuese për bashkëpunim edhe në industrinë e mbrojtjes.

Reinsalu vlerësoi Turqinë si një “partner solid dhe strategjik” dhe tha se Estonia dëshiron të rrisë vëllimin e tregtisë.

Duke folur për zgjerimin e NATO-s, ai u shpreh: “Ne do të dëshironim të shohim përparim të qetë në anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë”.

Çdo provokim nuk duhet të pengojë procesin, tha ai, duke shtuar se të gjitha palët duhet të ndërmarrin hapa “me kujdes”.

Çavuşoğlu gjatë vizitën u takua gjithashtu edhe me presidentin e Estonisë, Alar Karis.

Exit mobile version