Çavusoglu: Turqia do të bëjë ç’të jetë e nevojshme për të pastruar terroristët në Siri

Shefi i diplomacisë turke u ndal mbi sulmet e PKK/YPG-së në Siri gjatë konferencës së përbashkët për shtyp që u mbajt në kryeqytetin Ankara të vendit pas takimit të tij me Ministrin e Jashtëm të Nikaraguas, Denis Moncada Colindres.

Duke theksuar se sulme të tilla kanë filluar të shihen kohët e fundit dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Rusia kanë gjithashtu përgjegjësi për sulmet e fundit, Mevlut Çavusoglu u shpreh me këto fjalë: “Të dyja vendet do t’i nxirrnin këta terroristë të paktën 30 km në jug. Rusia do të pastronte Tell Rifaatin dhe Manbijin. Këto premtime nuk u mbajtën.”

Ai rikujtoi edhe një tjetër herë se Rusia dhe SHBA-ja nuk i përmbushën angazhimet e tyre në këtë aspekt.

“Ata thonë «ne i dënojmë sulmet». Por kush i jep këto armë? Ju i stërvitni ata (terroristët), pastaj dilni e bëni deklarata dënuese sa për sy e faqe. Meqenëse këta terroristë janë këtu, ajo çfarë ne duhet të bëjmë është të marrim fatin tonë në dorë. Ne do të bëjmë ç’të jetë e nevojshme për të pastruar (terroristët në Siri)”, tha ministri Çavusoglu mes të tjerash. /trt