Çavuşoğlu : Turqia vazhdon të ndjekë një politikë konstruktive në procesin e anëtarësimit në BE

“Në Ditën e Evropës, të cilën këtë vit e festuam nën hijen e luftës së Ukrainës, dëshmuam edhe njëherë se sa e vështirë dhe e çmuar është të ruash paqen”, është shprehur mes tjerash kryediplomati turk

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, deklaroi se vendi i tij vazhdon të ndjekë një politikë konstruktive për të zhvilluar bashkëpunimin dhe dialogun në çdo fushë në kuadrin e procesit të anëtarësimit në Bashkimit Evropian (BE), duke theksuar se ky është objektiv strategjik i Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri Çavuşoğlu publikoi një mesazh me rastin e 9 majit, Ditën e Evropës. Ai bëri të ditur se 72-vjetori i Deklaratës Schuman e cila hodhi themelet e integrimit evropian dhe të BE-së, në Turqi dhe në të gjithë popujt e Evropës festohet si Dita e Evropës.

Duke folur për luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, Çavuşoğlu tha se “në Ditën e Evropës, të cilën këtë vit e festuam nën hijen e luftës së Ukrainës, dëshmuam edhe njëherë se sa e vështirë dhe e çmuar është të ruash paqen. Tragjedia në Ukrainë e cila në shekullin 21 përjetohet në mesin e Evropës dhe e cila ne na dërgon në Evropën e viteve 1940, është një shenjë paralajmërimi për të gjithë ne. Kjo luftë e cila do të ndryshojë në rrënjë arkitekturën e sigurisë pas Luftës së Ftohtë, është një pikë kthese edhe në aspektin e të ardhmes së Evropës”.

Kryediplomati turk vuri theksin se projekti evropian është sprovuar me shumë kërcënime, duke u shprehur: “Krahas luftërave aktive dhe konflikteve, Evropën e ndikojnë thellë pasiguritë globale, ndryshimet klimatike, varësia nga energjia, terrorizmi dhe migrimi i parregullt. Gjithashtu edhe rrymat ekstreme si diskriminimi, ksenofobia dhe islamofobia dëmtojnë kulturën e bashkëjetesës së unionit dhe tronditin nga themeli vlerat e përbashkëta mbi të cilat është ndërtuar Evropa”.

Turqia si në vend kandidat dhe aleat i NATO-s, është vend kyç në zgjidhjen e të gjitha këtyre sfidave me të cilat përballet Evropa, deklaroi Çavuşoğlu duke vlerësuar se “pavarësisht që disa segmente, veçanërisht brenda Bashkimit Evropian, e tregojnë vendin tonë si rival dhe madje herë herë si kërcënim, Turqia si në periudhën e Luftës së Ftohtë edhe pas saj ka dhënë kontribut të rëndësishëm në stabilitetin dhe mirëqenien e kontinentit duke bërë shumë sakrifica në emër të sigurisë së Evropës. Turqia në kuadrin e procesit të anëtarësimit të Bashkimit Evropian i cili është objektiv strategjik i saj, vazhdon të ndjekë një politikë konstruktive për të zhvilluar bashkëpunimin dhe dialogun në çdo fushë”. /aa